Bashkimi Evropian do ta rrisë për 37 për qind buxhetin për vendet kandidate dhe Partneritetin Lindor. Korniza e re shumëvjeçare financiare e Unionit parasheh që nga 31 miliardë eurot aktuale të destinuara për këto vende, të rritet shuma në 42.6 miliardë euro. Komisionerja evropiane për zgjerim, Marta Kos, tha se kjo rritje ka për qëllim përshpejtimin e reformave në vendet kandidate dhe përgatitjen e tyre për anëtarësim të plotë në BE, informon PressOnline.al
“Ky propozim i ri i buxhetit të BE-së parasheh 42.6 miliardë euro, që është një rritje prej 37 për qind. Çdo buxhet është pasqyrim i politikave prioritare të shprehura në shifra, dhe me një buxhet më të madh ne do të mund të përshpejtojmë më tej reformat dhe investimet, duke i afruar vendet drejt anëtarësimit në BE”, deklaroi Kos.
Mjetet për vendet kandidate do të ndahen sipas dy parimeve – sipas meritës dhe kushtëzimit, dhe Kos theksoi se vendet do t’i marrin fondet vetëm kur t’i përmbushin kriteret që janë pjesë e agjendës së reformave.
“Disa vende kandidate po punojnë për të përfunduar negociatat gjatë periudhës së ardhshme të buxhetit të Unionit ose edhe më herët, dhe Komisioni do të punojë pa u ndalur që t’i ndihmojë të arrijnë këtë. Hapi i ardhshëm do të jetë negociata për marrëveshjet e anëtarësimit, ku do të përcaktohen elementet si përfshirja graduale në fondet strukturore dhe ato për bujqësi, si dhe pjesëmarrja e çdo vendi në buxhetin e BE-së”, tha Kos, përcjell PressOnline.al
Kos shtoi se Shqipëria, Mali i Zi, Moldavia dhe Ukraina kurrë nuk kanë përparuar më shpejt se tani, dhe se shumë prej vendeve kandidate janë të vendosura që t’i përfundojnë negociatat në vitet në vijim, ndërsa buxheti i ri i Unionit pasqyron këtë realitet.
Ajo gjithashtu bëri të ditur se përveç këtyre fondeve, BE-ja do të ndajë edhe 100 miliardë euro për reformat në Ukrainë dhe për stabilitetin financiar të saj pas vitit 2028.
Maqedonia e Veriut nuk u përmend sot nga Kos kur foli për përparimin e vendeve kandidate, por nga Brukseli për buxhetin e ri të BE-së komentoi ministri për Çështje Evropiane i Maqedonisë së Veriut, Orhan Murtezani, i cili është i bindur se buxheti i ri do ta përshpejtojë procesin e zgjerimit. Ai theksoi se zgjerimi nuk është vetëm një mjet gjeopolitik, por edhe një hapësirë për ambicie dhe vlera të përbashkëta.
“Maqedonia e Veriut është e gatshme ta vazhdojë rrugën e saj në këtë proces me vendosmëri të re kombëtare”, tha Murtezani.
Sipas tij, vendi ka kaluar një rrugë të gjatë, me reforma, qëndrueshmëri dhe me besimin se BE-ja është para së gjithash një bashkim vlerash. Ai kërkoi që zgjerimi të mos bëhet peng i politikave identitare, por të udhëhiqet qartë dhe në mënyrë të barabartë për të gjithë nga kriteret e Kopenhagës.


