Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, e cilësoi Rusinë si kërcënim për Evropën dhe si një shtet që po përpiqet të shkatërrojë demokracinë.
“Dua të theksoj se siguria do të jetë përparësi, pasi jetojmë në një botë të pasigurt. Rusia është kërcënim për të gjithë ne për shkak të sulmeve kibernetike dhe dezinformimit. Po përpiqen të shkatërrojnë demokracinë,” tha ajo në një konferencë të përbashkët nga Tirana me kryeministrin shqiptar Edi Rama. Ajo theksoi se riarmatimi duhet të jetë prioriteti numër 1 për Evropën.
“Rusia është kërcënim i të gjithëve ne për shkak të sulmeve kibernetike dhe dezinformimit. Po përpiqen të shkatërrojnë demokracinë. Riarmatimi duhet të jetë prioriteti nr 1 i yni. Ata janë angazhuar për një armëpushim 30 ditor pa kushte por s’kemi parë sinjale ende nga Rusia kështu që duhet të nxisim Rusinë duke shtuar më shumë sanksione për t’i dhënë fund luftës. Sa u përket sanksioneve, deri tani SHBA ka qenë shumë e qartë. Ajo që i kërkojmë Rusisë është të bëjë atë që po bën Ukraina në tryezë, që të realizojë dhe të gëzojë një armëpushim 30-ditor. Kemi parë se SHBA është e gatshme të vendosë më shumë sanksione në tryezë nëse Rusia nuk bie dakord, ashtu siç kemi bërë edhe ne. Deri tani, Rusia nuk ka qenë e gatshme. Unë këshilloj t’i hedhim sytë drejt sistemit bankar, energjisë, gazit dhe flotës”, shtoi ajo, shkruan Euronews.al, transmeton Klankosova.tv.
Frederiksen foli edhe për rëndësinë e konkurrencës së kompanive evropiane dhe për nevojën për të siguruar energji me kosto të ulët, duke përjashtuar përdorimin e burimeve energjetike ruse. Ajo përmendi gjithashtu çështjen e emigracionit, duke thënë se ka pasur një fluks të pakontrolluar, me pasoja të shumta për vendet evropiane.
Kujtojmë se Danimarka do të mbajë samitin e ardhshëm të Komunitetit Politik Evropian.



