Udhëheqësit evropianë mbërritën sot në Shqipëri, Tiranë – për të marrë pjesë në samitin e Komunitetit Politik Evropian, që u dominua nga lufta në Ukrainë, si dhe diskutimet për zgjerimin e Ballkanit Perëndimor në BE, sipas “Reuters”.
Ngjarja, ku morën pjesë udhëheqësit e Francës, Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe, u zhvillua ndërsa Ukraina dhe Rusia po zhvillojnë bisedimet e tyre të para për paqe – që nga fillimi i konfliktit. Temat e tjera përfshinë sigurinë, demokracinë dhe migracionin.
Por, është gjithashtu një kohë vendimtare për Shqipërinë, një nga vendet e vogla të Evropës me 2,4 milionë banorë, e cila po përpiqet të bashkohet me Bashkimin Evropian.
“Fluturimet nga aeroporti i Tiranës, i cili po i nënshtrohet një rikonstruksioni mes një bumi turistik në rritje, u ndërprenë”, tha aeroporti në një postim në Instagram, lidhur me masat e vendit për pritjen e liderëve evropianë.
U vendosën kufizime të trafikut në të gjithë kryeqytetin. Rrugët rreth qendrës së zhurmshme, ku samiti u zhvillua, ishin gjithashtu të kufizuara.
“Kur shoh se sa larg ka shkuar Shqipëria – dhe po zhvillon një takim të tillë me udhëheqësit e BE-së dhe Britanisë së Madhe – është një kënaqësi”, tha Dritan Hoti, 46 vjeç.
“Shqipëria po lëviz në drejtimin e duhur pavarësisht të gjitha problemeve me të cilat u përball”, shtoi ai.
Para se të bashkohet me BE-në, Shqipëria duhet të rindërtojë reputacionin e saj.
Transparenca politike është gjithashtu e rëndësishme pas zgjedhjeve të kontestuara, të cilat kryeministri Edi Rama i fitoi zyrtarisht me bindje të madhe, por që prokurorët vendas po i hetojnë dhe opozita i ka cilësuar si të manipuluara.
Lideri i opozitës dhe ish-kryeministri Sali Berisha ka bërë thirrje sot për një protestë paqësore.
Ekspertët thonë se marrëveshja e Ramës për të pranuar emigrantë nga Italia, për të rritur prodhimin e burimeve të rinovueshme dhe për të hapur vendin për investime të huaja – përfshirë atë të dhëndrit të presidentit të SHBA-së, Donald Trump, Jared Kushner – ka forcuar shanset e Shqipërisë për t’u bashkuar me bllokun.
“BE-ja po kërkon një histori suksesi”, tha Andi Hoxhaj, një ekspert për Ballkanin në “King’s College London”.
“Shqipëria dhe Mali i Zi mund të kenë një dritare mundësie, pasi të dy vendet janë shumë të vogla dhe kjo nuk do të ketë ndonjë ndikim apo presion të madh mbi BE-në”, shtoi ai.
Hoxhaj tha se BE-ja ka humbur njëfarë besueshmërie në rajon, kjo është arsyeja pse anëtarësimi është kaq i vështirë.
Kosova dhe Serbia gjithashtu kanë aspirata për anëtarësim në BE, megjithëse një mosmarrëveshje e gjatë midis këtyre vendeve ka ngadalësuar progresin.
Kosova i është nënshtruar sanksioneve të BE-së për rolin e kryeministrit Albin Kurti në nxitjen e tensioneve etnike në rajonin e saj verior që kufizohet me Serbinë.
Ndërkohë, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç, këtë javë iu bashkua përkujtimeve të fitores në Luftën e Dytë Botërore në Moskë, pavarësisht kundërshtimeve nga Brukseli.