Një tjetër bllok banimi i është nënshtruar rehabilitimit të plotë. Bëhet fjalë për zonën pranë ish-bllokut, në njësinë numër 5.
“Sot zona e ish Bllokut është e rrethuar me pallate dhe një pjesë e madhe e problematikës gjatë dimrit, me shirat, vjen nga fakti se infrastruktura nën tokë është bërë për një numër më të vogël banorësh. Aktualisht numri i banorëve këtu ka kapur kulmin dhe kanalizimet s’mbajnë më. Prandaj, do të shkojmë në një kapacitet shkarkues shumë herë më të lartë. Pavarësisht se në pamje të parë sipërfaqja duket relativisht mire, duhet të fokusohemi te nëntoka. Kemi pasur shumë problematika me pallatet e ndërtuara dhe legalizuara në zonën e “Moskateve”. Nuk është menduar edhe për pjesën e daljes, sidomos për hyrjen e emergjencës në pallatet e vjetra”, tha Veliaj.
Erjon Veliaj u kërkoi banorëvë që të përdorin parkimn e bashkisë pranë stadiumit Selman Stërmasi deri në përfundimin e punimeve.
“Janë 100 vatra që duam t’i sistemojmë përpara se njerëzit të kthehen nga pushimet. Rrugët janë pak më të lira për aksesin e fadromës dhe mjeteve të rënda. Do ju kërkoj të gjithë banorëve të tregohen mirëkuptues për çështjet e parkingut. Mund të parkojnë pranë stadiumit “Dinamo”, aty ka një parking të bashkisë. Besoj që testin e parë do ta kemi në nëntor-dhjetor, kur të fillojnë shirat, dhe të kuptojmë se si po na funksionojnë drenazhimet dhe kanalizimet e reja”, u shpreh Veliaj.
Kryebashkiaku tha se gjatë vitit do të nisë puna për rindërtimin e shkollave “Edith Durhami” dhe “Petro Nini Luarasi” që janë pjesë e njësisë bashkiake numër 5./vizionplus.tv





