Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, përmes një postimi në rrjetet sociale ka bërë me dije fluksin e lartë të turistëve gjatë sezonit.
Ai thekson se zonat bregdetare janë kryesisht plot me pushues, ku thekson dhe sigurinë maksimale që u ofron turistave të huaj dhe atyre vendas.
Më tej, ai thotë se në plazhin e Golemit, po punohet një ide projekti e mbështetur nga ambasada e Polonisë në Tiranë, për të vendosur disa pajisje shpëtimi, që përdoren nga kushdo.
“Sezoni turistik po kulmon dhe jo vetëm portet, aeroporti, akset kombëtare janë të tejmbushura nga turistë vendas e të huaj, por kryesisht zonat bregdetare janë plot me pushues. Detyra jonë, teksa të tjerët pushojnë është të sigurojmë siguri maksimale për ta.
Në plazhin e Golemit, merr jetë një ide e projektit të mbështetur nga ambasada e Polonisë në Tiranë, për të vendosur disa pajisje shpëtimi, që përdoren nga kushdo. Pajisja quhet Stenda e Jetës dhe përfshin kamerdare shpëtimi, një sistem sinjalizimi zanor dhe sistem ndriçimi të integruar, që alarmon duke tërhequr vëmendjen e pushuesve në rast rreziku për jetën e një qytetari në ujë.
Isha së bashku me Albanën, ambasadoren e Polonisë në Tiranë, Drejtorin e Përgjithshëm të Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, si dhe strukturat policore, të shëndetësisë, bashkisë dhe shoqatës vullnetare AFPRA, për të vënë në jetë këtë nismë”, shkruan Ervin Hoxha. /vizionplus.tv







