Aktorja e njohur Halle Berry është gjendur në qendër të vëmendjes pas një takimi të rrallë dhe disi të sikletshëm me ish-partnerin e saj, modelin kanadez Gabriel Aubry, gjatë ceremonisë së diplomimit të vajzës së tyre, Nahla.
Dyshja, të cilët i dhanë fund lidhjes në vitin 2010 kur vajza e tyre ishte vetëm dy vjeçe, kanë pasur një histori të gjatë konfliktesh ligjore që lidhen me kujdestarinë dhe mbështetjen financiare të fëmijës.

Pavarësisht të kaluarës së tensionuar, Berry dhe Aubry u panë në të njëjtin event familjar për të festuar një moment të rëndësishëm në jetën e vajzës së tyre. Pranë aktores ishte edhe i fejuari i saj aktual, muzikanti Van Hunt, i cili e shoqëroi në ceremoni.

Historia mes Berry dhe Aubry ka qenë shpesh objekt i mediave. Në vitin 2014, gjykata në Los Anxhelos urdhëroi aktoren të paguante 16 mijë dollarë në muaj për mbështetjen e vajzës së tyre, si dhe një pagesë shtesë prej 115 mijë dollarësh. Më vonë, në vitin 2021, kjo shumë u reduktua në 8 mijë dollarë në muaj, ndërsa u vendos edhe një përqindje mbi të ardhurat e saj që tejkalojnë një prag të caktuar financiar.

Sipas dokumenteve gjyqësore të publikuara në vitin 2023, pagesat totale të lidhura me këtë marrëveshje janë kufizuar deri në 4.5 milionë dollarë.
Për këtë rast, Halle Berry zgjodhi një paraqitje të thjeshtë dhe elegante me bluzë të zezë, xhinse të gjera dhe taka, ndërsa Gabriel Aubry u shfaq me një kostum gri prej liri, të kombinuar me këmishë të bardhë dhe atlete.

Aktorja është gjithashtu nënë e djalit 12-vjeçar Maceo, të cilin e ka nga martesa e saj e mëparshme me Olivier Martinez.
Edhe pse ceremonia ishte një ditë feste për vajzën e tyre, prania e të dy prindërve në të njëjtin ambient riktheu vëmendjen te një nga ndarjet më të komentuara të Hollywood-it dhe marrëdhënia e vështirë që ata kanë pasur gjatë viteve.






