Punonjësit e Aeroportit Ndërkombëtar të Shkupit, së bashku me përfaqësuesit e Komunës së Ilindenit, iu bashkuan sërish aksionit të TAV Maqedoni për mbjelljen e pemëve „Mbillim sot për një të nesërme të qëndrueshme”, duke konfirmuar përkushtimin e përbashkët për mbrojtjen e mjedisit jetësor.
TAV Maqedoni, degë e TAV Aeroporteve dhe pjesë e Grupacionit ADP, për të tretën herë po realizon iniciativën e saj të gjelbër „Mbillim sot për një të nesërme të qëndrueshme”, përmes së cilës kontribuon në mënyrë aktive në shtimin e sipërfaqeve të gjelbra dhe përmirësimin e mjedisit jetësor në komunën ku ndodhet Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit.
Në kuadër të aksionit të sivjetshëm, punonjësit e Aeroportit Ndërkombëtar të Shkupit, të udhëhequr nga drejtori i përgjithshëm i TAV Maqedoni, Nexhat Kurt, së bashku me kryetarin e Komunës së Ilindenit, Aleksandar Georgievski, dhe përfaqësues të komunës, mbollën 30 pemë kumbulle të kuqe në fshatin Deljadrovci, në Komunën e Ilindenit. Pemët u mbollën në parkun i cili, me këtë rast, sot u vu zyrtarisht në përdorim.
Me mbjelljen e pemëve të reja, ky vendbanim fiton më shumë gjelbërim, i cili në vitet në vijim do të kontribuojë në ajër më të pastër, mjedis natyror më të pasur dhe kushte më cilësore jetese për banorët lokalë.
„Më vjen veçanërisht mirë që iniciativa jonë e gjelbër „Mbillim sot për një të nesërme të qëndrueshme” vazhdon edhe këtë vit, duke dëshmuar se kujdesi për mjedisin jetësor është një angazhim afatgjatë i TAV Maqedoni. Aksione të tilla kanë një vlerë të veçantë kur realizohen përmes angazhimit të përbashkët. Prandaj, dëshiroj t’i falënderoj të gjithë kolegët tanë nga Aeroporti i Shkupit që dolën vullnetarë, si dhe kryetarin e komunës dhe punonjësit e Komunës së Ilindenit për mbështetjen dhe partneritetin. Besoj se kujdesi për mjedisin jetësor dëshmohet përmes veprave konkrete dhe se iniciativa të tilla të përbashkëta janë një mundësi për të kontribuar në ndryshime që do të kenë vlerë edhe në vitet që vijnë. Vlera e vërtetë e këtij akti do të ndihet dhe vlerësohet për shumë vite, duke shërbyer si një dhuratë e qëndrueshme për brezat e ardhshëm”,* deklaroi Nexhat Kurt, drejtor i përgjithshëm i TAV Maqedoni.
„Përmes iniciativave të tilla synohet krijimi i një komune më të pastër, më të gjelbër dhe më të shëndetshme, por edhe ndërgjegjësimi i popullsisë për rëndësinë e mbrojtjes së natyrës. Shpreh mirënjohjen time për të gjitha kompanitë me përgjegjësi shoqërore që dhuruan fidanë, për mbështetjen dhe kontributin e tyre në realizimin e këtij aksioni ekologjik. Njëkohësisht, theksoj se bashkëpunimi ndërmjet pushtetit lokal, sektorit privat dhe qytetarëve ka rëndësi të veçantë për krijimin e kushteve më të mira të jetesës. Përmes angazhimit të përbashkët dhe aktiviteteve të vazhdueshme, Komuna mbetet e përkushtuar për të siguruar një mjedis jetësor më të pastër dhe më të gjelbër për brezat e sotëm dhe ata të ardhshëm”,* tha Aleksandar Georgievski, kryetar i Komunës së Ilindenit.
Me realizimin e kësaj iniciative për të tretin vit radhazi, TAV Maqedoni konfirmon përkushtimin e saj ndaj operimit të qëndrueshëm dhe ndërtimit të partneriteteve afatgjata me komunitetet lokale. Përmes aktiviteteve konkrete ekologjike, kompania investon në një mjedis jetësor më të pastër dhe më të gjelbër sot, me synimin për të lënë një mjedis më të shëndetshëm dhe më të qëndrueshëm për brezat e ardhshëm.




