Një histori e pazakontë që përfundoi me një surprizë të bukur. Annalise Harry, 28 vjeçe, zbuloi se ishte shtatzënë vetëm tetë minuta para se të sillte në jetë vajzën e saj.
Pa e ditur se priste një fëmijë, ajo fillimisht nuk pranoi as ta mbante në krahë të porsalindurën dhe së bashku me partnerin menduan ta jepnin për birësim. Annalise, e cila punon si bariste dhe jeton në Morecambe të Anglisë, nuk kishte pasur shenja të dukshme të shtatzënisë. Ajo përdorte pilula kontraceptive, nuk kishte barkun e rrumbullakosur dhe nuk kishte dyshuar për asnjë moment se ishte në pritje të një fëmije.
Gjithçka nisi në mars, kur 28-vjeçarja filloi të përjetonte dhimbje të forta barku. Fillimisht mendoi se bëhej fjalë për dhimbje menstruale, pasi cikli i saj ishte i çrregullt për shkak të kontraceptivëve. Pasi dhimbjet u përkeqësuan dhe nuk arriti të flinte gjatë natës, ajo vuri re edhe gjakderdhje, të cilën e interpretoi si menstruacione.
Të nesërmen, për shkak të dhimbjeve të padurueshme, telefonoi shërbimin shëndetësor dhe u këshillua të paraqitej në urgjencë, pasi dyshohej për apendicit. Por në spital, gjatë një ekzaminimi me ultratinguj, infermierja i dha lajmin që do t’i ndryshonte jetën.
“Ti po sjell në jetë një fëmijë”, i tha ajo.
Annalise fillimisht nuk e besoi lajmin, madje mohoi atë që po i shpjegonin mjekët. Pak çaste më vonë, një mami konfirmoi se koka e foshnjës kishte filluar të dilte dhe ajo u dërgua me urgjencë në sallën e lindjes. Vetëm tetë minuta pas zbulimit të shtatzënisë, pas tre shtyrjeve, ajo solli në jetë një vajzë që peshonte rreth 1.87 kilogramë.
“Isha e tronditur dhe e mbingarkuar emocionalisht. Kur më pyetën nëse doja ta mbaja në krahë, refuzova”, rrëfen ajo.
Annalise njoftoi partnerin e saj, George Price, 28 vjeç, i cili fillimisht mendoi se bëhej fjalë për një shaka. Kur kuptoi se gjithçka ishte e vërtetë, edhe ai mbeti pa fjalë. Çifti diskutoi mundësinë e birësimit, pasi nuk ishte përgatitur aspak për ardhjen e një fëmije. George kishte edhe dy fëmijë nga një marrëdhënie e mëparshme, ndërsa Annalise nuk e kishte imagjinuar ndonjëherë veten si nënë.
Dy ditë pas lindjes, gjatë një kontrolli rutinë, Annalise dëgjoi të qarat e vajzës së saj dhe diçka ndryshoi brenda saj. Për herë të parë ndjeu dëshirën për ta mbajtur pranë dhe për të krijuar një lidhje me të. Në të njëjtën periudhë, mjekët e informuan se ajo kishte një gjendje të rrallë të lindur, të njohur si “mitra njëbrirëshe” (unicornuate uterus).
Kjo është një anomali kongjenitale në të cilën mitra zhvillohet vetëm pjesërisht, duke bërë që gruaja të ketë vetëm një pjesë funksionale të saj dhe zakonisht një tub fallopian funksional. Gjendja mund të shoqërohet me probleme të fertilitetit dhe rrezik më të lartë për komplikacione gjatë shtatzënisë, përfshirë abortin spontan dhe lindjen e parakohshme.
Ky zbulim e bëri Annalise të kuptonte se shtatzënia dhe lindja e Gracie mund të kishin qenë një mundësi shumë e rrallë për të pasur një fëmijë.
“Ishte pikërisht atëherë që kuptova se doja të bëhesha nëna e saj. E mbajta për herë të parë në krahë dhe ndjeva një valë emocionesh kur pashë fytyrën e saj të vogël”, tregon ajo.
Menjëherë telefonoi George dhe i tha se kishte ndryshuar mendje dhe nuk mund ta jepte vajzën për birësim. Ai e mbështeti vendimin e saj dhe u nis drejt spitalit për të përqafuar të dyja.
Sot, Gracie është shtatë muajshe dhe po rritet shëndetshëm. Annalise thotë se vajza e saj është mrekullia më e madhe e jetës së saj.
“Të bëhesha nënë ishte surpriza më e madhe e jetës sime. Ishte e vështirë të përshtatesha me idenë e të qenit nënë, pa pasur asnjë kohë për t’u përgatitur. Gracie është vogëlushja ime mrekulli dhe e dua pa masë”, shprehet ajo.
Përmes historisë së saj, Annalise dëshiron të rrisë ndërgjegjësimin për shtatzënitë e fshehta (cryptic pregnancies), raste kur një grua nuk e kupton se është shtatzënë deri në fazat e vona, apo edhe deri në momentin e lindjes.


