Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka miratuar nevojën për marrjen e një mendimi urgjent nga Komisioni i Venecias për modelin e ri të propozuar nga Ministria e Drejtësisë lidhur me provimin e jurisprudencës.
Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, i cili këtë vendim e ka cilësuar si një hap të rëndësishëm drejt zgjidhjes së çështjes së provimit.
“Qëllimi ynë është të krijojmë një sistem që garanton mundësi të barabarta për të gjithë kandidatët, duke ruajtur të njëjtat kritere profesionale dhe standarde të provimit”, ka shkruar Shasivari.
Në kuadër të këtij procesi, raportuesit e Komisionit të Venecias do të zhvillojnë takime me institucionet, partitë parlamentare, dekanët e pesë fakulteteve juridike dhe përfaqësuesit e organizatave studentore.
Gjithashtu, do të organizohen demonstrime praktike të pjesës me shkrim në Gjykatën e Apelit në Shkup dhe të pjesës me gojë në Ministrinë e Drejtësisë.
Shasivari ka theksuar se vlerësimi i Komisionit të Venecias do të jetë një garanci shtesë për ligjshmërinë e zgjidhjes së propozuar.
“Vazhdojmë me përgjegjësi dhe përkushtim për një zgjidhje të drejtë, profesionale dhe të qëndrueshme, në interes të të gjithë kandidatëve”, ka përfunduar ministri.


