Pavarësisht premtimeve të bëra gjatë fushatës parazgjedhore për ndërtimin e katër hekurudhave të reja, Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti po përballet me një tjetër problem në sektorin hekurudhor.
Rreth 200 punëtorë të Infrakosit janë futur në grevë, duke kërkuar rritjen e pagave dhe përmirësimin e kushteve të punës, raporton Ekonomia Online.
Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Infrakosit, Hysen Nikçi, ka deklaruar se greva është rezultat i kërkesave të vazhdueshme të punëtorëve për rritjen dhe rregullimin e pagave.
Ai vuri në pah se kërkesat e tyre nuk janë maksimale dhe se çdo rritje e pagave, qoftë edhe në faza, do të ishte e mirëseardhur për punëtorët e hekurudhave.
“Prandaj edhe kërkesat tona nuk janë maksimale për rregullimin e pagave. Shkallëzimi i tyre edhe në ditët apo muajt në vazhdim, si dhe rritja e pagave, do të ishte shumë e mirëseardhur për punëtorët e hekurudhës”, ka thënë Nikçi për EO.
Ndërkohë, gjatë fushatës parazgjedhore, kryeministri Albin Kurti kishte premtuar një transformim të madh ekonomik dhe industrial të Kosovës, duke përfshirë edhe ndërtimin e katër hekurudhave të reja.
“Mandati i ri është ai i transformimit të madh ekonomik dhe industrial të Kosovës. Katër hekurudha të reja, pesë diga me investime mbi 400 milionë euro. Shtet që lidh qytetet, zhvillon ekonominë dhe ndërton infrastrukturë për brezat që vijnë”, kishte deklaruar Kurti gjatë fushatës.
Megjithatë, përveç problemeve me pagat e punëtorëve dhe mungesës së investimeve të mjaftueshme në infrastrukturën hekurudhore, Kosova po përballet edhe me vështirësi serioze në modernizimin e këtij sektori. Për më tepër, vendi rrezikon të mbetet prapa objektivave të Bashkimit Evropian për integrimin në rrjetin evropian të transportit deri në vitin 2030.
Këto shqetësime janë paraqitur edhe në raportin e publikuar nga Gjykata Evropiane e Auditorëve (ECA), ku vlerësohet se progresi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në ndërlidhjen me rrjetin e transportit të Bashkimit Evropian po zhvillohet me ritëm të ngadaltë, kryesisht për shkak të vonesave në realizimin e projekteve dhe problemeve të shumta operative.
Sipas auditorëve evropianë, gjendja e infrastrukturës hekurudhore në Kosovë, gjatë periudhës së auditimit, ishte më e keqe sesa para fillimit të projektit për rehabilitimin e Linjës Hekurudhore 10, e cila shtrihet nga Hani i Elezit, përmes Fushë Kosovës, deri në Leshak.
Në raport theksohet se trafiku hekurudhor në këtë linjë është ndërprerë që nga viti 2020, pasi gjatë punimeve u shembën disa tunele. Për më tepër, ende nuk ka një afat të qartë për fillimin e punimeve në pjesën veriore të linjës.
“Në Kosovë, kushtet hekurudhore në kohën e auditimit ishin më të këqija se para fillimit të projektit. Trafiku është ndërprerë që nga viti 2020, sepse disa tunele u shembën gjatë punimeve”, thuhet në raportin e ECA-së.
Auditorët kanë konstatuar gjithashtu se deri në qershor të vitit 2025, në linjën hekurudhore nuk ishin instaluar ende sistemet e sinjalizimit dhe të elektrifikimit, duke penguar funksionalizimin e plotë të saj.
Raporti vë në pah se Bashkimi Evropian ka investuar mbi 500 milionë euro në projekte të transportit në Ballkanin Perëndimor, përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor. Megjithatë, rezultatet e këtyre investimeve janë ngadalësuar për shkak të vonesave të shumta dhe mangësive gjatë zbatimit të projekteve.
Sipas gjetjeve të ECA-së, projektet e financuara nga BE-ja në rajon kanë nisur mesatarisht me 17 muaj vonesë, ndërsa shumë prej tyre janë përballur edhe me shtyrje të tjera, të cilat kanë tejkaluar dy vjet.


