Politikanët evropianë të së djathtës ekstreme të mërkurën filluan që ta distanconin veten nga presidenti amerikan, Donald Trump, pas fitores së demokratëve në zgjedhjet e mesit të mandatit në ShBA, por kryesisht i shmangën kritikat e drejtpërdrejta ndaj vetë presidentit.
Ky zhvillim është i dukshëm, pasi shumë prej udhëheqësve i kishin çmuar lidhjet e tyre ideologjike me Trumpin pas fitores së tij më 2024 dhe disa prej tyre e kishin vizituar Uashingtonin dhe kishin marrë mbështetje nga aleati i tij miliarder, Elon Musk, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Jordan Bardella, udhëheqës i partisë Tubimi Kombëtar në Francë, për të cilën sondazhet tregojnë se mund ta formojë qeverinë e re, e tipizoi ndryshimin e pozicionit politik.
Mandati i dytë i Trumpit ishte më pak izolues se mandati i tij i parë në periudhën 2017 – 2021, tha Bardella. “Ndërhyrja amerikane në lidhje me Iranin bart pasoja shumë të rënda” për ekonomitë përreth botës, shtoi ai, pa e akuzuar Trumpin si person që qëndron prapa kësaj ndërhyrjeje.
Në Gjermani, Alice Weidel, bashkëkryetare e partisë së të djathtës ekstreme, Alternativa për Gjermaninë (AfD), gjithashtu e fajësoi luftën e Iranit për humbjen e Partisë Republikane në ShBA. “Trumpi u kishte premtuar votuesve se nuk do të ndiqte politikë të jashtme ndërhyrëse… Ky premtim i thyer tani është kthyer për t’i ndjekur republikanët” – tha ajo për mediumin “T-Online”.
Trumpi pranoi se lufta me Iranin ka luajtur rol në humbjet e partisë së tij, por tha se i qëndron prapa vendimit të tij.


