Deputeti Eman Rrahmani ka kërkuar shkarkimin e zyrtarëve përgjegjës për dështimet institucionale në rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt.
Sipas tij, institucionet e kanë humbur mundësinë për të dëshmuar përgjegjësi morale përmes dorëheqjeve, ndërsa tani duhet të ndërmerren masa konkrete.
Në emisionin “Debat Plus”, Rrahmani ka deklaruar se përgjegjësia për shkarkimet duhet të merret nga kryeministri.
“Është dashur që t’i japin standarde, siç ndodh në secilin vend të botës, me dorëheqje. Tashmë ka kaluar koha e dorëheqjes, tash është koha e shkarkimeve dhe që të duhej të bëhej nga kryeministri”, ka deklaruar ai.
Deputeti, i cili është anëtar i Komisionit Hetimor parlamentar për rastin e Arlinda Zekajt, ka kërkuar hetimin e funksionimit të të gjithë sistemit institucional.
Ai ka kritikuar pushtetin edhe për mënyrën se si janë trajtuar rastet e dhunës në familje dhe vrasjet gjatë viteve të fundit.
Rrahmani ka pretenduar se gjatë gati shtatë vjetëve të qeverisjes aktuale është shënuar rritje e rasteve të tilla, duke e lidhur këtë me mosfunksionimin e duhur të institucioneve.
Sipas tij, përgjegjësia nuk duhet të kufizohet vetëm te zyrtarët e përfshirë drejtpërdrejt në rastin e Zekajt, por duhet të shqyrtohet funksionimi i sistemit në tërësi.


