Qindra kilometra larg Tokës, tre astronautët amerikanë kanë ushtruar të drejtën e tyre për të votuar në zgjedhjet e mesit të mandatit në Shtetet e Bashkuara.
Anil Menon, Luke Delaney dhe Jessica Watkins, pjesë e ekuipazhit të Stacionit Ndërkombëtar Hapësinor (ISS), kanë konfirmuar se kanë marrë pjesë në procesin zgjedhor përmes një sistemi të posaçëm votimi në distancë.
Lajmin e bëri të ditur astronauti Anil Menon përmes një postimi në platformën X, ku publikoi edhe një video 29-sekondëshe, duke mbajtur një ngjitëse me mbishkrimin “Unë votova”.
“Po, mund të votoni edhe nga hapësira! Të tre anëtarët amerikanë të ekuipazhit patën privilegjin të votonin nga stacioni hapësinor. Ne plotësuam një fletëvotim elektronik dhe e dërguam në mënyrë të sigurt te zyrtarët zgjedhorë”, shkroi Menon.
Sipas NASA-s, procedura është e ngjashme me atë të amerikanëve që ndodhen larg vendbanimit të tyre. Astronautët plotësojnë një formular të posaçëm për të kërkuar fletëvotimin në distancë, të cilin më pas e plotësojnë elektronikisht dhe ia dërgojnë autoriteteve përkatëse zgjedhore.


