Përfaqësuesi i lartë i VLEN-it, Blerim Sejdiu, ka kritikuar BDI-në për qëndrimin e saj në zgjedhjet presidenciale në vitin 2019, duke rikujtuar se kjo parti kishte promovuar kandidatin maqedonas Stevo Pendarovski, ndërsa nuk kishte mbështetur kandidatin shqiptar, Blerim Reka.
Duke folur në emisionin “Click Plus” në TV21, Sejdiu tha se BDI nuk kishte dhënë mbështetje për Rekën, ndonëse bëhej fjalë për një kandidat shqiptar për president.
“Në atë kohë BDI doli me një kandidat maqedonas dhe publikisht në selinë e BDI-së e promovoi. Kur kishim rastin e Blerim Rekës për president, BDI nuk e përkrahu kandidatin shqiptar. Kemi qenë dëshmitarë gjithë t’i shohim në historinë jo të largët dhe nuk duam të etiketohet VLEN-i me veprimet dhe sulmet që kanë bërë ndaj nesh.
VLEN është duke realizuar çdo kërkesë të qytetarëve që nuk është prekur 22 vite e më shumë”, deklaroi Sejdiu.
Ai gjithashtu ngriti çështjen e zgjedhjeve lokale në Bërvenicë, duke pyetur pse BDI nuk kishte dalë në mbështetje të VLEN-it, qoftë edhe tërthorazi, gjatë garës në raundin e dytë vitin e kaluar.
“Pse BDI nuk doli të na mbështesë as tërthorazi, kur ne ishim në garë në raundin e dytë vitin e kaluar në Bërvenicë?”, theksoi Sejdiu.


