Përfaqësuesi i lartë i VLEN-it, Blerim Sejdiu ka drejtuar akuza të ashpra ndaj BDI-së gjatë debatit në emisionin “Click Plus” në TV21, duke e kritikuar për mosrealizimin e premtimeve dhe politikat e saj gjatë 22 viteve në pushtet.
Duke iu drejtuar nënkryetares së BDI-së, Arta Bilalli Zendeli, Sejdiu tha se VLEN ka realizuar më shumë sesa kishte paraparë në programin e saj, ndërsa theksoi se një nga arritjet është edhe Ligji për përfaqësim të drejtë.
“Sot ka një ligj për përfaqësim të drejtë dhe ju e kundërshtoni. Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari ka qenë pjesë e atij komisioni. Ne kemi qenë të hapur”, deklaroi Sejdiu.
Ai sqaroi edhe përzgjedhjen e ministrit Shasivari, duke thënë se ai nuk ka qenë anëtar i asnjë partie politike, ndërsa VLEN i ka dhënë besimin për shkak të përgatitjes së tij profesionale në këtë fushë.
“Shasivari nuk ka qenë asnjëherë anëtar partie, as i Besës, as i LD-së e as i Alternativës. Ia dhamë skenën, sepse është më i thirruri në këtë aspekt. Kemi besimin e plotë se do të bëjë më të mirën”, u shpreh Sejdiu.
Më tej, ai akuzoi BDI-në se gjatë 22 viteve nuk ka realizuar asnjë pikë të programit të saj, duke pretenduar se politikat e saj kanë ndikuar në largimin e shqiptarëve nga vendi.
“Është hera e parë që kemi realizuar më shumë se programi ynë. Një ligj që nuk ka qenë, sot është ligj. Mund të flasësh për BDI-në që nuk ka realizuar asnjë pikë të programit të saj për 22 vite. Ne jemi ndryshe. Ju i keni dëbuar shqiptarët, ai ka qenë programi juaj dhe flasin numrat. Për programin e VLEN-it ne jemi përgjegjës”, tha Sejdiu.
Në fund të debatit, Sejdiu ngriti edhe çështjen e bankës serbe në Maqedoninë e Veriut, duke pretenduar “se ajo është e lidhur me eksponentë të BDI-së”.


