Kryeministri Edi Rama ka prezantuar detaje nga paketa e re fiskale, e cila bashkë me buxhetin e vitit të ardhshëm do të marrë sot miratimin nga Qeveria dhe më pas do të duhet të marrë ‘OK’ edhe nga Kuvendi.
Rama tha se taksa e qarkullimit prej 27 lekësh për litër do të hiqet nga nafta dhe do të paguhet bashkë me taksat e automjetit. Shefi i Qeverisë bëri të ditur gjithashtu se do të krijohet Byroja e Specializuar për kontrollin e të ardhurave dhe deklarimin e pasurisë.
“Programi buxhetor afatmesëm, ne kemi planifikuar një sërë masash ambicionze të politikave ekonomike e sociale. Ne duam më shumë biznese, më shumë kompani vendase e të huaja. Prandaj ne mbetemi partizanë të taksimit të mesëm. Lajmi i parë është se falë rritjes së ekonomisë dhe mundësive, jemi gati të hedhim një hap të shumëpritur, ulim normën e TVSH-së në 6% për produktet bazë ushqimore. Ne shtojmë në arkën e familjeve shqiptare 150 milionë euro në vit për ushqimin.
Rrisim me 1% normën standarde të TVSH, për të gjitha mallrat jashtë shportës (21%). Nuk do e rritim normen e tatimit mbi fitimin per biznesin do te mbetet 15%. Sot rrisim me normën më të lartë dividendin nga 8 ne 15%, taksë më e ndershme për bizneset. Ulim barrën tatimore për 32 mijë tatimpagues. Rritet pragu i tatimit për pagën nga 200 mijë në 300 mijë lekë. Vendosim pragun e tatimit 30% për pagat mbi 700 mijë lekë të reja në muaj. Ulim pragun e tvsh për cdo biznes me xhiro vjetore mbi 5 milionë lekë, pasi nuk mund të lejojmë që bizneset e vogla të shërbejnë si guacka për të mëdhenjtë. Rrisim TVSH në hoteleri nga 6 ne 10%, me përjashtim të agroturizmave. Ulim pragun e aplikimit të TVSH-së për çdo biznes me xhiro vjetore 5 milionë lekë, pasi nuk mund të lejojmë që bizneset e vogla të shërbejnë si guaska për bizneset e mëdha për t’u fshehur. Taksa e qarkullimit ne vlerë fikse është 27 lekë në litër, qe tani do te paguhet tek taksat e makinës, me një formulë të re. Do krijohet byroja e specializuar për kontrollin e të ardhurave, për deklarimin e pasurisë”, tha mes të tjerash Rama.


