Me shumicën e votave të numëruara, zgjedhjet në Izrael nuk kanë prodhuar një fitues të qartë, duke hapur rrugën për javë – dhe ndoshta muaj – pasigurie politike. Mund të vihen në zbatim disa rezultate dhe skenarë, shkruan CNN.
Blloku i djathtë i kryeministrit Benjamin Netanyahu e ka humbur shumicën që kishte në parlamentin në largim. Me rreth 53 ulëse të parashikuara, ai nuk arrin pragun prej 61 ulësesh të nevojshme për të formuar qeverinë në Knessetin me 120 ulëse.
Netanyahu mund të përpiqet të bindë njërën nga partitë opozitare që t’i bashkohet qeverisë së tij, por të gjitha e përjashtuan bashkëpunimin me të gjatë fushatës zgjedhore. Politikanët që i janë bashkuar atij vitet e fundit shpesh e kanë gjetur veten të dobësuar ndjeshëm, me pak ndikim thelbësor në politikat qeveritare. Netanyahu mund të përpiqet gjithashtu të sigurojë kalimin në anën e tij të deputetëve të veçantë të opozitës, por për këtë do të nevojiteshin disa largime nga kampi opozitar për ta mbyllur hendekun.
Nga ana tjetër, opozita ka fituar shumicën në parlament, por rruga e saj drejt pushtetit pengohet nga ndarjet ideologjike, kombëtare dhe personale.
Parashikohet që rivali kryesor i Netanyahut, Gadi Eisenkot, të fitojë 21 ulëse, por ai nuk mund ta arrijë shumicën prej 61 ulësesh pa dy partitë arabe, Ra’am dhe Lista e Përbashkët, të cilave u parashikohet të fitojnë gjithsej një numër rekord prej 19 ulësesh. Të mërkurën, Yair Golan, lideri i partisë së majtë Demokratët, u bëri thirrje partnerëve të tij që partitë arabe t’i konsiderojnë pjesë të bllokut, duke hedhur poshtë atë që ai e quajti “ndarjen raciste të votave hebraike dhe arabe” nga Netanyahu.
Por dy nga aleatët e djathtë të Eisenkotit kundërshtojnë formimin e një qeverie që përfshin partitë arabe ose të një qeverie të pakicës që mbështetet në përkrahjen e tyre nga jashtë.
Duke pasur parasysh bllokadën e dukshme, një tjetër skenar është formimi i një qeverie të unitetit kombëtar, që do të bashkonte Likudin e Netanyahut me një ose më shumë parti të opozitës. Ky opsion do ta zëvendësonte qeverinë e tij aktuale të vijës së ashpër. Si Netanyahu, ashtu edhe liderët e opozitës e kanë përjashtuar këtë mundësi gjatë fushatës, por ajo mund të jetë një nga të vetmet mënyra për të shmangur zgjedhjet e tjera.


