Një alpinist gjerman 57-vjeçar ka humbur jetën tragjikisht në Himalaje, pasi ra nga një lartësi prej rreth 1.500 metrash gjatë zbritjes nga maja Ama Dablam, në Nepal.
Ngjarja ndodhi mëngjesin e së hënës, vetëm një ditë pasi alpinisti, së bashku me një grup ngjitësish, kishte arritur të pushtonte majën 6.814 metra të lartë.
Sipas kompanisë “Real Himalaya”, grupi kishte përfunduar me sukses ngjitjen të dielën, ndërsa tragjedia ndodhi gjatë kthimit.
Udhërrëfyesi nepalez deklaroi se e kishte paralajmëruar 57-vjeçarin të mos largohej nga tenda në kampin e vendosur rreth 6.100 metra mbi nivelin e detit, derisa të sigurohej pjesa e ngrirë e shtegut. Megjithatë, kur udhërrëfyesi u kthye, alpinisti nuk ndodhej më në tendë.
Pas kërkimeve, trupi i tij u gjet dhe u transportua me helikopter drejt Katmandusë, kryeqytetit të Nepalit. Trupi është dërguar në spital, ku pritet të kryhet autopsia për të përcaktuar rrethanat e vdekjes.


