Në çdo episod të “Top Tech” me Mateo Kadriun zbulojmë të rejat më të fundit nga bota e madhe e teknologjisë. Me informacione dhe gjithçka të detajuar rreth risive dhe mundësive që po na ofrohen çdo ditë sidomos nga Inteligjenca Artificiale me avancimin e projekteve nga më të ndryshme.
Apple ka prezantuar HomeView, një ekran inteligjent që kushton 299 dollarë. Vendoset mbi tavolinë ose montohet në mur dhe shërben për të kontrolluar dritat, ngrohjen, kamerat dhe bravat e përputhshme, me prekje ose përmes Siri. Gjithashtu bën telefonata me FaceTime, luan muzikë, shfaq receta dhe njeh deri në gjashtë persona, duke i përshtatur secilit përmbajtjen në ekran.
Bashkë me të vjen Apple Home Collection, zhvilluar me LG-në dhe Schneider Electric. Brava inteligjente, rreth 350 dollarë, hapet automatikisht kur afrohesh me një iPhone ose Apple Watch. Mund të përdorësh edhe kod numerik apo çelës fizik dhe t’u japësh vizitorëve akses nga telefoni.
Zilja me kamerë, rreth 250 dollarë, ka dy kamera: një për personin përpara derës dhe një për pakot poshtë. Kur dikush i bie ziles, të vjen njoftim dhe mund të shohësh e të flasësh me të nga telefoni.
Termostatet, rreth 200 dollarë, përshtatin temperaturën sipas pranisë në shtëpi dhe rutinës së mbrëmjes. Sensorë shtesë, rreth 40 dollarë, matin temperaturën dhe lagështinë në dhoma të ndryshme. Nevojitet sistem ngrohjeje ose ftohjeje i përputhshëm.
Për sigurinë ka kamera të brendshme rreth 200 dollarë, të jashtme rreth 300 dollarë dhe kamera me dritë LED rreth 400 dollarë. Kamera e brendshme e ul veten dhe ndalon monitorimin kur dikush nga familja kthehet në shtëpi.
Pajisjet menaxhohen nga aplikacioni Home, pa aplikacione apo llogari të veçanta për secilën. Çmimet janë për SHBA-në dhe produktet blihen veçmas. HomeView del më 13 nëntor, ndërsa aksesorët nga dhjetori, disa në fillim të vitit 2027.
Për Shqipërinë ende nuk është njoftuar një datë.


