Një pacient 44-vjeçar, me vështirësi të theksuara në lëvizjen e të katër gjymtyrëve në ecje, rifitoi lëvizshmërinë pas një ndërhyrjeje neurokirurgjikale në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.
QSUT-ja informon se pacienti u diagnostikua me një fistul durale, patologji e rrallë që u përcaktua pas ekzaminimeve, përfshirë angiografinë digjitale me subtraksion.
Ndërhyrja u realizua nga ekipi i Neurokirurgjisë, nën drejtimin e Prof.Artid Lames.
Dr.Lame shprehet se operacioni kërkonte kujdes të veçantë, ndërsa përmirësimi i funksionit të duarve dhe këmbëve u vu re menjëherë pas ndërhyrjes.
Thelluam ekzaminimet dhe aty morëm vesh që kishim të bënim me një fistul durale, ashtu si i quajmë ne patologjitë tona, është një patologji shumë e rrallë.
Operacioni ishte delikat, por i thjeshtë nga ana mikro-kirurgjikale. Menjëherë pas operacionit, pacienti ka ndjerë përmirësim të dukshëm të funksionit të këmbëve dhe të duarve.
Pacienti falënderoi ekipin mjekësor:
Me në krye doktor Artid Lamen, falënderoj përzemërsisht të gjithë stafin e Neurokirurgjisë në Tiranë për çfarë kanë bërë për shëndetin tim.
QSUT-ja thekson se kjo ndërhyrje është një tjetër dëshmi e profesionalizmit dhe bashkëpunimit të ekipeve mjekësore, me fokus përmirësimin e shëndetit të pacientëve dhe rikthimin e cilësisë së jetës.


