Aktori i njohur hollivudian Sylvester Stallone nuk është përpjekur ta mohojë se lidhjet familjare i kanë dhënë vajzës së tij, Scarlet Rose Stallone, një avantazh në karrierë. Përkundrazi, 80-vjeçari u është përgjigjur hapur kritikëve që e akuzojnë se e ndihmoi 24-vjeçaren të siguronte një rol në serialin “Tulsa King”.
Sigurisht që është nepotizëm, o idiot. Kjo është arsyeja pse jemi prindër. Duam më të mirën për fëmijët tanë, ndaj u japim çdo avantazh që mundemi
-deklaroi ylli i Rocky-t në një intervistë për USA Today.
Stallone, i cili luan personazhin kryesor në serialin e krijuar nga Taylor Sheridan dhe është gjithashtu një prej producentëve ekzekutivë, mbrojti vendimin për t’i krijuar vajzës së tij mundësi profesionale, duke argumentuar se mbështetja prindërore është diçka e natyrshme.
Pavarësisht qëndrimit të tij të drejtpërdrejtë, Stallone pranoi se sigurimi i një mundësie nuk garanton sukses afatgjatë në industrinë e argëtimit.
Aktori shpjegoi se prindërit mund t’u krijojnë fëmijëve të tyre kontakte dhe mundësi që të tjerët mund të mos i kenë, por ruajtja e një karriere varet nga aftësitë dhe puna e vetë personit.
A mund ta ruajnë atë nivel të lartë? Kjo nuk është më në dorën tonë. Por, nëse mund t’ua hapësh derën, atëherë shohim nëse kanë aftësinë të kalojnë përmes saj
-u shpreh ai.
Stallone pranoi gjithashtu se disa njerëz mund të mendojnë se vajza e tij e ka pasur më të lehtë për të siguruar rolin. Megjithatë, sipas tij, të qëndrosh përballë miliona shikuesve dhe të ruash interesin e publikut kërkon më shumë sesa një mbiemër të njohur.
Scarlet Rose Stallone interpreton Spencerin në serialin “Tulsa King”, ku babai i saj luan Dwight “The General” Manfredi, një mafioz që përpiqet të ndërtojë perandorinë e tij kriminale në Oklahoma pas lirimit nga burgu.
Ajo iu bashkua kastit që në sezonin e parë, ndërsa personazhi i saj ka një rol më të zgjeruar në sezonin e katërt, ku përfshihet gjithnjë e më shumë në aktivitetet e biznesit të Dwight-it.
Seriali transmetohet në platformën Paramount+ dhe është një prej projekteve të rëndësishme televizive të Stallone-s në vitet e fundit.
Vetë Scarlet ka folur pozitivisht për përvojën e të punuarit me të atin. Në një intervistë për People, ajo tregoi se bashkëpunimi në serial u ka dhënë mundësinë të kalojnë më shumë kohë së bashku dhe të njohin më mirë njëri-tjetrin.
Përpara kësaj, ai punonte gjatë gjithë kohës, kështu që të kishim mundësinë të punonim më në fund së bashku ishte e mrekullueshme. Jemi afruar si miq. E kemi njohur dhe respektuar vërtet njëri-tjetrin gjatë gjithë këtij procesi
-u shpreh ajo.
Scarlet është një nga tri vajzat që Stallone ka me bashkëshorten Jennifer Flavin. Aktori ka gjithsej pesë fëmijë, përfshirë edhe dy djem nga martesa e tij e parë.
Rasti i Scarlet Stallone rikthen në vëmendje debatin për të ashtuquajturit nepo babies — term që përdoret për fëmijët e personazheve të famshëm, të cilët përfitojnë nga lidhjet familjare për të hyrë në industrinë e argëtimit.
Kritikët argumentojnë se këto lidhje mund t’u japin atyre një avantazh të padrejtë ndaj aktorëve të tjerë që përpiqen të sigurojnë role përmes audicioneve dhe përvojës profesionale.
Nga ana tjetër, Stallone nuk e mohon avantazhin që mund t’i ketë dhënë vajzës së tij, por këmbëngul se mundësia fillestare nuk e përcakton të ardhmen e saj. Sipas tij, në fund, aftësia për të ruajtur një vend në industri mbetet prova vendimtare.
Deklaratat e aktorit kanë nxitur sërish diskutime mbi kufirin mes mbështetjes së natyrshme familjare dhe privilegjit në një industri ku fama dhe kontaktet mund të hapin dyer që për të tjerët mbeten të mbyllura.


