Një 47 vjeçar në kërkim për plagosjen me armë zjarri të një 22 vjeçari dhe vjedhjen e automjetit të tij, u kap në pikën kufitare të Rinasit, teksa tentonte të largohej nga Shqipëria.
Sipas Policisë, shtetasi me inicialet K.N., banues në fshatin Sanxhak, u ndalua pas koordinimit mes specialistëve për Hetimin e Krimeve të Rënda, Komisariatit të Policisë Kurbin dhe Policisë Kufitare në Rinas.
Ngjarja për të cilën akuzohet ka ndodhur në muajin korrik në Sanxhak, ku gjatë një konflikti për motive të dobëta dyshohet se ka plagosur me armë zjarri shtetasin V.P., 22 vjeç dhe më pas i ka vjedhur automjetin.
Në muajin gusht, Gjykata e Lezhës i kishte caktuar 47 vjeçarit masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje”, “Vjedhja” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.


