Gjykata e Tiranës urdhëroi lirimin e 27 personave të ndaluar pas protestave në kryeqytet, duke vlerësuar “të paligjshme” arrestimet në flagrancë të 22 prej tyre. Për gjashtë persona të tjerë është caktuar masa e sigurimit “Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”.
Vendimet u morën pas shqyrtimit të kërkesave të Prokurorisë për vlerësimin e ligjshmërisë së arrestimeve dhe caktimin e masave të sigurimit personal për personat e ndaluar gjatë protestave.
Vendimi përfshiu edhe gjashtë të mitur në konflikt me ligjin, për të cilët gjykata vlerësoi “të paligjshme” arrestimet në flagrancë, nuk caktoi masa sigurie dhe urdhëroi lirimin e menjëhershëm, nëse nuk mbahen për ndonjë shkak tjetër ligjor.
Personat nën hetim dyshohen, në varësi të rasteve, për kundërshtim të punonjësve të policisë së rendit publik, organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime e manifestime të paligjshme dhe shkatërrim të pronës.
Në një prej çështjeve përmenden edhe dyshime për prishje të qetësisë publike, pengim të qarkullimit dhe goditje për shkak të detyrës.
Vendimet mund të ankimohen në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm.


