Everesti është mali më i lartë në botë, me 8.849 metra mbi nivelin e detit. Por, sipas shkencëtarëve, në historinë e Tokës mund të kenë ekzistuar male edhe më të larta, të cilat janë zhdukur prej miliona apo miliarda vitesh. Sipas ekspertëve të cituar nga Live Science, gjurmët e këtyre maleve gjenden ende në koren e Tokës. Duke studiuar shkëmbinjtë dhe shtresat e thella nën sipërfaqe, gjeologët përpiqen të kuptojnë sa të mëdha kanë qenë këto formacione. Megjithatë, të dhënat nuk mjaftojnë për të përcaktuar me siguri se cili prej tyre ka pasur majën më të lartë.
Shkencëtarët shpjegojnë se malet nuk përbëhen vetëm nga pjesa që shohim mbi tokë. Një pjesë e madhe e masës së tyre shtrihet në thellësi, ndaj struktura e kores mund të japë të dhëna për lartësinë që mund të kenë pasur dikur. Një nga kandidatët kryesorë është një vargmal gjigant i njohur si vargmali gjigant Transgondwanan i cili nisi të formohej rreth 650 milionë vjet më parë, kur disa masa të mëdha tokësore u bashkuan për të krijuar superkontinentin Gondwana.
Ky vargmal shtrihej në zona që sot përfshijnë Indinë jugore, Sri Lankën, Tanzaninë dhe Kenian. Sipas studiuesve, ai ishte rreth tri herë më i gjatë se Himalajet. Gjurmët e ruajtura në koren e Tokës sugjerojnë se malet e tij mund të kenë qenë po aq të larta sa Everesti, ose edhe më të larta. Shkencëtarët kanë identifikuar edhe formacione të tjera të lashta malore, të lidhura me superkontinentet Rodinia dhe Nuna, të cilat ekzistonin miliarda vite më parë. Megjithatë, përmasat e tyre mbeten të paqarta, pasi kalimi i kohës dhe erozioni kanë fshirë shumë nga gjurmët fillestare. Për momentin, këto vargmale të lashta dhe Himalajet konsiderohen ndër kandidatët kryesorë për malet më të larta që kanë ekzistuar në Tokë. Por, siç theksojnë studiuesit, shkenca ende nuk mund të përcaktojë se cili ka qenë mali më i lartë në historinë e planetit.


