Protesta e shoferëve të kamionëve në jug të Italisë, kundër rritjes së çmimeve të karburanteve dhe kostove të transportit, po shkakton ndërprerje të furnizimeve dhe po vë në rrezik prodhimin e makaronave. Sipas Reuters, bllokimi i rrugëve, autostradave dhe porteve ka sjellë gjithashtu mungesa të produkteve ushqimore në disa zona të vendit, si dhe radhë në pikat e karburantit.
Prodhuesi i makaronave Rummo, me seli në rajonin e Kampanias, njoftoi të martën pezullimin e prodhimit për shkak të mungesës së lëndëve të para. Sipas drejtorit ekzekutiv të kompanisë, Cosimo Rummo, vështirësi të ngjashme po përballojnë pothuajse të gjithë prodhuesit e mëdhenj të makaronave në rajonin fqinj të Pulias.
Këto dy rajone, së bashku me Sicilinë, përbëjnë qendrat kryesore të prodhimit të makaronave në Itali. Rummo paralajmëroi se pjesa më e madhe e prodhimit italian të makaronave është ndalur ose është pranë pezullimit.
Edhe prodhuesi La Molisana, me seli në rajonin e Molizes, raportoi një rënie të ndjeshme të prodhimit. Kompania po përdor rezervat e lëndëve të para, përfshirë grurin dhe semolinën, për të vijuar aktivitetin.
Ndërkohë, grupi italian i interesit bujqësor Confagricoltura paralajmëroi se prodhuesit në Sicili mund të detyrohen të asgjësojnë sasi të mëdha produktesh që prishen shpejt, nëse transporti nuk rifillon.
Mungesa ushqimore dhe presioni mbi çmimet
Pasojat e bllokadave po ndihen edhe përtej industrisë së makaronave. Ndërprerjet e transportit po pengojnë furnizimin e tregjeve dhe supermarketeve, ndërsa mungesat e karburantit po vështirësojnë më tej lëvizjen e mallrave.
Në Romë, Centro Agroalimentare Roma (CAR), tregu më i madh me shumicë i frutave dhe perimeve në Itali, raportoi mungesa të produkteve si domatet, specat dhe rrushi. Sipas tij, bllokimet rrugore dhe kostot më të larta të transportit po ushtrojnë presion mbi çmimet dhe po rrisin varësinë nga importet, përfshirë ato nga Spanja dhe Shqipëria.
Situata është veçanërisht e vështirë në disa zona të Italisë jugore, ku raportohen rafte të zbrazura në supermarkete dhe radhë në pikat e karburantit.
Zineb Boutimah, 45 vjeçe, banore e qytetit Locri, në provincën e Rexho Kalabrisë, tha se njerëzit po përpiqeshin të blinin produktet e mbetura në dyqane. Ajo tregoi se kishte shkuar në një qytet fqinj për t’u furnizuar me miell dhe ushqimet që konsumon më shpesh.
Ndërsa Elena Lombardo, 78 vjeçe, gjithashtu nga Locri, tha se punonjësi i një pike lokale karburanti e kishte këshilluar të mbushte serbatorin të hënën, pasi nuk e dinte nëse do të kishte karburant të nesërmen. Të martën, pika ishte e mbyllur.
Transportuesit: Protesta është në interes të qytetarëve
Protesta nisi javën e kaluar me bllokimin e rrugëve, autostradave dhe porteve në Sicili dhe në jug të vendit. Transportuesit kundërshtojnë rritjen e çmimeve të karburanteve dhe kostot e larta të jetesës.
Vincenzo Aleccia, president i konsorciumit të transportuesve në Trapani, në Sicilinë perëndimore, pranoi se ndërprerjet janë të mëdha, por theksoi se protesta është paqësore dhe, sipas tij, zhvillohet në interes të qytetarëve, pasi rritja e çmimeve prek të gjithë.
Qeveria premton mbi 150 milionë euro ndihmë
Përballë situatës, qeveria italiane po përgatit një paketë të re mbështetjeje për transportuesit rrugorë. Pas një takimi me përfaqësuesit e sektorit të martën, zëvendësministri i Infrastrukturës, Edoardo Rixi, tha se së shpejti do të vihen në dispozicion mbi 150 milionë euro.
Ndërkohë, administrata e kryeministres Giorgia Meloni po përgatit masa më të rrepta sigurie pas trazirave të fundjavës në Milano dhe qytete të tjera të veriut, të zhvilluara në sfondin e protestave kundër inflacionit.
Përmasat ekonomike të krizës janë të konsiderueshme. Sipas një raporti të publikuar në shtator nga European House-Ambrosetti (TEHA Group), zinxhiri italian i prodhimit dhe shpërndarjes së makaronave gjeneroi 13,5 miliardë euro të ardhura vitin e kaluar. Vazhdimi i bllokadave rrezikon të ndikojë më tej në furnizimin me ushqime, prodhimin industrial dhe disponueshmërinë e karburantit në vend.


