Mesfushori i Barcelonës, Pedri, ka shprehur admirimin për bashkëlojtarin e tij Lamine Yamal, duke e cilësuar si lojtarin më të mirë në botë, por njëkohësisht e ka këshilluar të mos e vendosë veten nën presionin e krahasimeve me Lionel Messin. Sipas spanjollit, Yamal ka të gjitha cilësitë për të bërë diferencën në fushë. Aftësia për të kaluar kundërshtarët në driblime, për të shënuar dhe për të krijuar raste për shokët e skuadrës e bëjnë një element vendimtar për katalanasit.
Pedri theksoi se te talenti i ri ka vënë re gjithmonë dëshirën për të luajtur me pasion dhe për të shijuar çdo moment me topin në këmbë. Megjithatë, ai beson se vëmendja duhet të përqendrohet te potenciali i tij dhe jo te krahasimet me legjendat e futbollit. “Yamal duhet ta shijojë lojën dhe të mos e krahasojë veten me askënd. Kur bëhet fjalë për Messin, është veçanërisht e vështirë, pasi flasim për lojtarin më të madh në historinë e futbollit”, u shpreh mesfushori spanjoll.
Pedri nënvizoi se pritshmëritë e mëdha mund të krijojnë presion të panevojshëm mbi një futbollist kaq të ri. Për këtë arsye, ai mendon se Yamal duhet të ketë kohën dhe qetësinë e duhur për të vazhduar rritjen e tij, pa u ndikuar nga etiketimet apo krahasimet e vazhdueshme. Në përfundim, Pedri e vlerësoi lart bashkëlojtarin, duke e cilësuar si më të mirin në botë dhe duke theksuar se detyra e ekipit është ta mbështesë, në mënyrë që ai të vazhdojë të luajë me të njëjtën liri dhe kënaqësi.


