Situata në protestën në Tiranë vijon të jetë e tensionuar.
Policia ka qëlluar me plumba gome në drejtim të protestuesve, ndërsa përplasjet në zonën e tubimit vijojnë.
Incidenti vjen pas hedhjes së fishekzjarrëve dhe molotovëve në drejtim të forcave të rendit, si dhe djegies së koshave të mbeturinave.
Teksa një pjesë e mirë e protestuesve janë shpërndarë në Rrugën e Dibrës, policia ka vijuar ndjekjen e tyre.
Pak momente më parë një grup efektivësh janë parë teksa futen në një prej rrugicave përgjatë rrugës.
Megjithatë, efektivët prezentë nuk kanë lejuar gazetarët , si edhe pjesëtarë të tjerë të mediave që të ndjekin zhvillimet në zonën ku u fut policia, duke krijuar shqetësime për transparencën e veprimeve të tyre kundrejt protestuesve.
Pas disa orësh përpara shkallëve të Kryeministrisë, një grup protestuesish kanë nisur marshimin në qytet duke shkaktuar incidente të vogla me lëndë piroteknike, ndërsa të tjerë ndodhen te bulevardi. Te Ministria e Brendshme, pati disa përplasje me policinë, e cila iu vu menjëherë nga pas duke hedhur gaz lotsjellës. Në “Rrugën e Durrësit”, protestuesit kanë hedhur një breshëri fishekzjarrësh e molotovësh, ndërsa nuk reshtin sulmet me gurë. Në rrugë ka edhe bllokada me kosha mbeturinash, të cilëve u është vënë flaka
Në ditën e shtatë të protestave, strategjia e policisë konsiston në ndërhyrje të menjëhershme me gaz lotsjellës e ujë dhe ndjekje këmba-këmbës të protestuesve të maskuar, duke mos i lejuar të rigrumbullohen për të vijuar sulmet. Ndryshe nga ditët e mëparshme, forcat e shtuara të policisë i ndoqën në çdo rrugë ku u zhvendosën, duke shpërndarë brenda rreth dy orësh grupin e të maskuarve.


