Policia e Vlorës ka reaguar pas denoncimit të PD të këtij qarku për praninë e forcave të rendit në ambientet universitare, “duke argumentuar se një veprim i tillë mund të krijojë presion dhe frikë te studentët që kërkojnë të shprehin qëndrimet e tyre”.
Përmes një njoftimi zyrtar policia e Vlorës sqaron se prania e efektivëve në ambientet e universitetit ka ardhur pas kërkesës së administratorit të universitetit se një grup personash po pengonin zhvillimin normal të procesit mësimor.
“Në lidhje me disa video të publikuara në rrjetet sociale, ku shfaqen punonjës të Policisë në ambientet e brendshme të Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë, sqarojmë se:
Rreth orës 11:51, administratori i Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë, ka njoftuar Sallën Operative të DVP Vlorë për praninë e një grupi prej 30–40 personash, të moshave të ndryshme, të cilët po pengonin zhvillimin normal të procesit mësimor, në katin e parë të Fakultetit të Shkencave Kompjuterike.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në ambientet e fakultetit dhe kanë ndërhyrë për normalizimin e situatës, duke nxjerrë jashtë godinës personat që pengonin zhvillimin normal të procesit mësimor dhe studentët të ndiqnin leksionet në auditore.
Në vijim të veprimeve, janë shoqëruar në ambientet e Policisë 6 shtetas, të dyshuar si organizatorë të këtij grupimi”, thuhet në reagimin e policisë.


