Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri për Çështje Evropiane, Beskim Sali, ka theksuar rëndësinë e përfshirjes së vendeve kandidate që nga fillimi në Qendrën Evropiane për reziliencë demokratike, duke nënvizuar se demokracia dhe siguria e Evropës kërkojnë veprim të përbashkët.
Gjatë qëndrimit në Luksemburg, në margjinat e Këshillit për çështje të përgjithshme të Bashkimit Evropian, Sali ka thënë se dezinformimi, sulmet kibernetike dhe kërcënimet hibride janë sfida që nuk njohin kufij dhe kërkojnë bashkëpunim të koordinuar.
Ai ka bërë të ditur se Maqedonia e Veriut synon të jetë jo vetëm përfituese e mekanizmave evropianë të mbrojtjes, “por edhe kontribuuese aktive në përballimin e këtyre kërcënimeve dhe në forcimin e qëndrueshmërisë demokratike”.
“Kemi nisur përgatitjet për pjesëmarrje substanciale: Ministria e Drejtësisë është caktuar koordinuese dhe janë emëruar pikat e kontaktit. Integrimi gradual i vendeve kandidate e forcon Evropën që sot me më shumë siguri, qëndrueshmëri demokratike dhe unitet”, ka thënë zv/kryeministri Sali.


