Një 37-vjeçar nga Shkupi do të përballet me kallëzim penal pasi drejtonte motoçikletën “Suzuki” në një rrotë në bulevardin “Aradhet Partizane”, duke rrezikuar sigurinë e tij dhe të pjesëmarrësve të tjerë në komunikacion.
Rasti u zbulua pas publikimit të videove më 10 tetor në disa portale dhe media elektronike, ku shihet motoçiklisti duke kryer manovra të rrezikshme pranë kryqëzimit me rrugën „29 Nëntori“ në Shkup.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme bëjnë të ditur se, në koordinim nga sistemi “Qyteti i Sigurt”, janë ndërmarrë masa dhe veprime për identifikimin e drejtuesit të motoçikletës me targa të Shkupit.
Fillimisht, policia ka zhvilluar bisedë me pronarin dhe përdoruesin e motoçikletës, nga i cili është marrë informacioni se më 3 tetor të këtij viti motoçikletën e kishte përdorur A.A. (37) nga Shkupi.
Gjatë bisedës me policinë, 37-vjeçari ka pranuar se e kishte drejtuar motoçikletën pa poseduar patentë shoferi dhe se videot i kishte publikuar në profilin e tij në rrjetin social TikTok.
“A.A. ka deklaruar se më 03.10.2026, pa poseduar patentë shoferi, kishte drejtuar motoçikletën ‘Suzuki’ në bulevardin ‘Aradhet Partizane’ dhe kishte publikuar disa video në profilin e tij në rrjetin TikTok”, njoftojnë nga MPB-ja.
Për rastin është njoftuar prokurori publik nga Prokuroria Themelore Publike në Shkup.
Ndaj 37-vjeçarit do të parashtrohet kallëzim penal në bazë të nenit 297-a të Kodit Penal për “drejtim të pakujdesshëm të automjetit motorik“ dhe nenit 298 për “rrezikim të sigurisë së komunikacionit me veprim ose mjet të rrezikshëm“.


