Një person raportohet në gjendje të rëndë pas aksidentit në Aksu të Antalias. Djali i shoferit pretendon se në rrugë ishte derdhur naftë, ndërsa guvernatori i tregoi drejtuesit pamjet e aksidentit dhe i tha: “Duket sikur po vraponit”.
Të paktën 17 persona kanë mbetur të plagosur pas një aksidenti me autobus të ndodhur të hënën, më 12 tetor, në zonën e Aksu-së, në Antalia të Turqisë. Autobusi humbi kontrollin, rrëshqiti dhe u përmbys në mes të rrugës.
Sipas medias turke Sabah, njëri prej të plagosurve ndodhet në spital në gjendje të rëndë.
Pas aksidentit, në vendngjarje mbërritën ekipet e emergjencës, forcat e policisë dhe ambulancat, të cilat ndërhynë për t’u ardhur në ndihmë të plagosurve.
Djali i shoferit: Nafta ishte derdhur në rrugë
Djali i drejtuesit të autobusit, Esref Taşçi, pretendoi se në rrugë ishte derdhur naftë dhe se babai i tij ishte përpjekur të mbante kontrollin e mjetit.
“Nafta ishte derdhur në rrugë. Babai im u përpoq të mbante kontrollin e automjetit, por nuk mundi ta parandalonte përmbysjen e tij”, deklaroi ai.
Ndërkohë, guvernatori i Antalias, Sahin, i tregoi shoferit, Huseyin Taşçi, pamjet e aksidentit në telefonin e tij celular dhe i tha: “Duket sikur po vraponit”.
Rrethanat e aksidentit dhe shkaku i humbjes së kontrollit nga autobusi mbeten për t’u sqaruar nga autoritetet.


