Marina Fara, vajza e këngëtares së njohur Eli Fara, ka ndarë një mesazh mbështetjeje në Instagram pas publikimit të disa videove intime që përfshinin nënën e saj dhe kompozitorin Adi Hila. Ajo ka postuar një foto të Eli Farës, duke e inkurajuar atë me fjalët: “Mbaje kokën lart, mbretëreshë, dhe kurorën drejt. 👑 Mbretëresha ime e bukur 👑😍❤️”.
Ky postim erdhi pas një buje të madhe në rrjetet sociale, ku pamjet intime të Eli Farës u bënë publike, duke shkaktuar reagime të shumta nga opinioni publik. Disa ditë më vonë, Eli Fara reagoi duke shprehur se nuk ndihet e turpëruar për situatën.
Ajo theksoi se turpi i përket atyre që e shpërndanë materialin dhe se ajo po përjeton një dhimbje të thellë, që nuk ia u dëshiron asnjë gruaje. “Cenimi i privatësisë është një sfidë e madhe dhe përballja me gjykimet e shoqërisë është e vështirë”, shprehet ajo.
Eli Fara ngriti shqetësimin për mënyrën se si shoqëria i gjykon gratë, duke theksuar se shpesh ato duhet të mbajnë turpin e veprimeve që kryhen kundër tyre. “U lëndojnë dhe pastaj kërkojnë llogari për mënyrën si e përballojnë dhimbjen”, tha ajo.
Ajo ka vendosur që këtë çështje ta besojë drejtësisë dhe i bën thirrje publikut për njerëzillëk, duke kërkuar ndalimin e shpërndarjes së materialeve që mund të thellojnë dhimbjen e individëve dhe familjeve të tyre.
“Përpara çdo gjykimi, mendoni për njeriun dhe familjen që po lëndoni”, ka theksuar ajo. Në fund, Eli Fara falënderoi të gjithë ata që e kanë mbështetur në këtë periudhë të vështirë, duke thënë se dashuria e tyre i jep forcë të vazhdojë me dinjitet.
Në dëshminë e saj të parë në polici, Eli Fara ka sqaruar se Adi Hila nuk është personi që i ka shpërndarë videot dhe se ajo nuk kishte dijeni për kamerat e vendosura në banesë.
Pas publikimit të pamjeve, Adi Hila ka bërë kallëzim, duke pretenduar se i janë hakuar pajisjet e tij, ndërsa Eli Fara ka kallëzuar për shkelje të privatësisë. Hetimet për këtë rast përfshijnë disa vepra penale, duke përfshirë hyrjen e paautorizuar kompjuterike dhe përgjimin e paligjshëm.
Çështja e Adi Hilës tani është kaluar në prokurori, pas hedhjes së shortit. Ai ka deklaruar se kishte shkatërruar hard-diskun e kamerës për të parandaluar ndonjë ndërhyrje të mëtejshme.



