Një sulm me thikë në një kolegj të arsimit të lartë në Varshavë ka lënë të plagosur tre persona, mes tyre dy vajza 17-vjeçare dhe një grua 24-vjeçare. Ngjarja ndodhi të shtunën, më 10 tetor, dhe shënon sulmin e tretë të këtij lloji në Poloni brenda pak ditësh.
Sipas agjencisë Reuters, autor i dyshuar është një student 21-vjeçar i institucionit arsimor. Të plagosurat nuk ndodhen në rrezik për jetën, ndërsa dy prej tyre nuk kanë pasur nevojë të shtrohen në spital.
“Rreth orës 12:30 morëm një njoftim për një incident ku ishte përdorur një mjet i rrezikshëm”, deklaroi zëdhënësi i policisë, Jakub Filipiak.
Sipas agjencisë shtetërore polake të lajmeve PAP, dy vajzat 17-vjeçare dhe 24-vjeçarja kishin shkuar në kolegj për të dorëzuar dokumentet e regjistrimit. Nga të dhënat paraprake, autori dhe viktimat nuk njiheshin me njëri-tjetrin.
Policia kontrollon 50 mijë objekte, 76 persona të arrestuar
Pas sulmeve të fundit dhe përhapjes së kërcënimeve në internet, autoritetet polake kanë shtuar masat e sigurisë në shkolla dhe institucione të tjera.
Policia njoftoi se që nga e premtja ka kontrolluar rreth 50 mijë objekte dhe ka arrestuar 76 persona. Sipas autoriteteve, shumica e të arrestuarve janë adoleshentë që kishin publikuar kërcënime në internet.
Të premten, mijëra efektivë të policisë vizituan shkolla në të gjithë vendin, në përpjekje për të qetësuar nxënësit dhe për të parandaluar përhapjen e frikës pas dy sulmeve të mëparshme.
Dy sulme të tjera tronditën vendin
Të enjten, një 15-vjeçar, ish-nxënës i një shkolle fillore në Leszczydol-Nowiny, në verilindje të Varshavës, vrau një punonjës të shkollës dhe plagosi dy mësues. Sipas raportimeve, adoleshenti mbante një kamerë në helmetën e tij.
Një ditë më parë, të mërkurën, një 19-vjeçar plagosi 10 persona, përfshirë veten, në një shkollë në Ostrołęka, në veri të kryeqytetit polak.
Ngjarjet e njëpasnjëshme kanë shtuar shqetësimin për sigurinë në institucionet arsimore në Poloni, ndërsa autoritetet po vijojnë kontrollet dhe hetimet për kërcënimet e raportuara.


