Përtej fushës së blertë, Mario Mitaj ka treguar se vlerat e një sportisti maten edhe me solidaritetin dhe ndihmën ndaj njerëzve në nevojë.
Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare ka kontribuar me 5 mijë dollarë për një familje me mbiemrin Prelocaj, e cila banon në Vermosh të Malësisë së Madhe dhe po përballet me vështirësi të mëdha ekonomike, si dhe me probleme shëndetësore.

Familja ka kaluar një tragjedi të rëndë pas humbjes së djalit të vetëm, i cili ndërroi jetë për shkak të një sëmundjeje të rëndë. Në këto kushte të vështira, nëna dhe tri motrat e të ndjerit kanë nevojë për mbështetje për të përballuar sfidat e përditshme.
Sipas informacionit të bërë publik, Mitaj u njoh me situatën e familjes dhe reagoi duke dhuruar menjëherë shumën prej 5 mijë dollarësh përmes platformës GoFundMe, me synimin për t’u ardhur në ndihmë në këtë periudhë të vështirë.
Një gjest që shkon përtej futbollit dhe që dëshmon rëndësinë e solidaritetit njerëzor.


