Aleanca për Shqiptarët (ASH) ka reaguar ashpër pas denoncimit të dy të rinjve, të moshës 21 dhe 23 vjeç, të cilët pretendojnë se janë rrahur nga pjesëtarë të policisë dhe se u është dëmtuar automjeti.
Nga ASH kërkojnë hetim urgjent dhe transparent, duke theksuar se nisja e kontrollit të brendshëm nga Ministria e Punëve të Brendshme dëshmon seriozitetin e pretendimeve.
“Policia duhet të garantojë sigurinë e qytetarëve, jo të mbjellë frikë. Çdo keqpërdorim i uniformës dhe tejkalim i kompetencave duhet të ndëshkohet”, theksojnë nga kjo parti.
Kritikat më të ashpra ASH i ka drejtuar ndaj koalicionit VLEN dhe zëvendësministrit të Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, duke e cilësuar heshtjen e tyre si të papranueshme.
Sipas ASH-së, pjesëmarrja në drejtimin e MPB-së nënkupton përgjegjësi konkrete dhe jo vetëm deklarata politike.
Partia kërkon publikimin e rezultateve të hetimit dhe ndëshkimin e të gjithë përgjegjësve, nëse vërtetohet përdorimi i paligjshëm i forcës.
“Askush me uniformë nuk mund të jetë mbi ligjin dhe askush në pushtet nuk mund të fshihet pas heshtjes”, përfundon reagimi i Aleancës për Shqiptarët.


