A duhet të peshojmë çdo ushqim që konsumojmë? Sipas mjekes nutricioniste Matina Çobo, matja e gramaturave mund të jetë e dobishme vetëm në fazën fillestare të një diete, kur personi po mëson të njohë sasinë e duhur të ushqimit. Por me kalimin e kohës, syri dhe trupi mësohen vetë me porcionin e duhur, duke e bërë peshoren të panevojshme.
“Pesë apo dhjetë gramë nuk përbëjnë ndonjë diferencë të madhe,” theksoi Çobo, duke shtuar se përqendrimi i tepërt te gramatura mund të na largojë nga kënaqësia e vërtetë e ngrënies dhe nga gjendrat e shijes.
Ekspertja këshilloi se një tregues më i mirë se peshorja është ndjesia e ngopjes, e cila mbërrin rreth 20 minuta pas fillimit të vaktit. Ngrënia e ngadaltë ndihmon trupin të dërgojë në kohë sinjalin se jemi ngopur, ndryshe nga ata që e konsumojnë ushqimin shpejt dhe rrezikojnë të hanë më shumë se duhet.


