Nutricionistja Matina Çobo paralajmëroi për një fenomen gjithnjë e më të përhapur: ortoreksinë nervore, domethënë obsesionin ekstrem me të ngrënit shëndetshëm. Sipas saj, ky çrregullim, ndonëse nuk klasifikohet ende si diagnozë zyrtare psikiatrike, mund të barazohet në efekte me anoreksinë apo bulimin nëse vazhdon për një kohë të gjatë.
Shenjë alarmi, tha Çobo, është kur personi refuzon edhe një copë tortë në një festë familjare, nga frika se do të “prishë” disiplinën e tij ushqimore. Një person me marrëdhënie të shëndetshme me ushqimin lejon përjashtime të rastësishme, ndërsa ai që vuan nga ortoreksia e sheh çdo devijim si dështim.
Studimet tregojnë se health maxing dhe ortoreksia prekin më shpesh njerëz që kanë histori sëmundjesh në familje ose që kanë kaluar probleme psikologjike më parë, duke e kthyer kujdesin e tepruar për veten në një formë tjetër ankthi.


