Gjithnjë e më shumë njerëz po kthehen në të ashtuquajtur “health maxing”, fenomen që përfshin numërimin e kalorive, matjen e hapave, kontrollin e orëve të gjumit dhe peshimin e përditshëm. Mjekja okuliste dhe nutricioniste Matina Çobo shpjegoi në emisionin Wake Up të Top Channel dhe Top Albania Radio se ky term i referohet përpjekjes për të maksimizuar ndjesinë e shëndetit, por në shumë raste kthehet në varësi dhe obsesion.
Sipas saj, të kujdesesh për ushqimin, sportin dhe gjumin nuk do të thotë domosdoshmërisht se je person që bën health maxing. Problemi shfaqet kur individët bëhen të varur nga arritja e qëllimeve ditore që i vendosin vetes, duke e kthyer çdo aspekt të jetës në numra: kalori, hapa, minuta gjumi, gjumë REM etj.
Çobo tregoi se me 12 vite eksperiencë në fushën e nutricionit, ka hasur shpesh raste të tilla, por sot ky fenomen është bërë më i dukshëm për shkak të aplikacioneve dhe orëve inteligjente që monitorojnë çdo detaj të trupit. Ajo paralajmëroi se kjo prirje mund të shkaktojë stres të tepërt dhe ankth, në vend që të sjellë përmirësim real të shëndetit.


