Ndërsa shumë njerëz sot fokusohen te numërimi i proteinave, rekomanduar në masën 1.6 deri 2 gram për kilogram peshe trupore, nutricionistja Matina Çobo paralajmëroi se fibrat mbeten elementi më i neglizhuar në dietën e përditshme. Fibrat, të pranishme te drithërat, legumet, frutat dhe perimet, janë thelbësore për shëndetin e zorrëve, largimin e toksinave dhe mbrojtjen e qelizave nga dëmtimet.
Sipas saj, një vakt nuk duhet konsideruar i plotë nëse nuk përmban perime, sallatë apo fruta. Rekomandimi minimal ditor është rreth 25 gram fibra, të arritshme përmes një frutit në mëngjes, një sallate në drekë, perimeve në darkë dhe një fruti në mbasdite.
Çobo theksoi gjithashtu rëndësinë e orarit të vakteve, duke marrë shembull italianët dhe francezët, popuj që hanë ushqime të pasura me yndyrna e karbohidrate por ruajnë formën fizike falë respektimit strikt të orareve të ngrënies. Darka, sipas saj, duhet konsumuar të paktën tre orë para gjumit dhe të jetë më e lehtë se dreka.


