Pas disa sezonesh ku çantat mini ishin pothuajse kudo, moda po kthehet përsëri te diçka shumë më praktike, çanta ku realisht mund të fusësh gjërat që të duhen gjatë ditës. Jennifer Lawrence dhe Katie Holmes janë mes personazheve të njohur që janë parë së fundmi me çanta tote të mëdha. PEOPLE vëren se modelet e bollshme po bëhen një nga aksesorët më të dukshëm të vjeshtës, ndërsa edhe Gwyneth Paltrow, Elizabeth Olsen, Meghan Markle dhe Naomi Watts janë parë me variante të ngjashme.
Ndryshimi ka edhe një arsye shumë praktike. Një çantë e madhe mund të mbajë laptopin, portofolin, produktet e përditshme, një shishe uji dhe gjithçka tjetër që zakonisht përfundon në disa çanta të ndryshme por modelet e reja nuk po duken domosdoshmërisht si çanta pune. Lëkura e butë, format më të relaksuara dhe ngjyrat e vjeshtës po i bëjnë ato pjesë të look-ut, jo vetëm një zgjidhje praktike.
Ky rikthim lidhet edhe me një ndryshim më të gjerë në modë. Pas periudhës së aksesorëve shumë të vegjël, ku shpesh funksioni sakrifikohej për pamjen, prakticiteti po fiton përsëri rëndësi dhe kjo është një tendencë që nuk kërkon domosdoshmërisht të blesh diçka të re. Çanta e madhe që mund të kesh prej vitesh në garderobë mund të jetë pikërisht ajo që po rikthehet. Pas çantave ku mezi futej telefoni, moda më në fund po na lejon të marrim me vete gjithë jetën.


