Një mëngjes që nisi me sirenat e alarmit dhe mijëra raketa mbi Izrael, do të shndërrohej në një nga ditët më të përgjakshme në historinë e konfliktit izraelito-palestinez.
Në orët e para të asaj dite, Hamasi dhe grupe të tjera të armatosura palestineze nisën një sulm të koordinuar nga Rripi i Gazës.
Luftëtarët kaluan barrierën kufitare në disa pika, duke hyrë në territorin izraelit nga toka, deti dhe ajri, ndërsa një breshëri e madhe raketash goditi zona të ndryshme të Izraelit.
Në fakt, objektivat ishin baza ushtarake, komunitete pranë kufirit me Gazën dhe civilë.
Një prej skenave më të rënda u regjistrua në festivalin muzikor Nova, ku pati qindra të vrarë dhe të plagosur. Bilanci i këtij sulmi numëronte më shumë se 1,200 njerëz të vrarë, ndërsa 251 persona u morën peng dhe u dërguan në Gaza. Mes tyre kishte gra, fëmijë, të moshuar, civilë dhe ushtarë.
Për Izraelin, 7 tetori u kthye në një plagë kombëtare dhe në pikën e nisjes së një lufte që do të zgjaste për vite.
Brenda pak orësh, qeveria izraelite shpalli gjendjen e luftës. Forcat izraelite nisën bombardimet në Rripin e Gazës, ndërsa më vonë filluan edhe operacionet tokësore. Qeveria izraelite deklaroi se objektivi ishte shkatërrimi i kapaciteteve ushtarake dhe qeverisëse të Hamasit si dhe kthimi i pengjeve në vend.
Por ajo që pasoi ofensivën Izraelite, do të ishte një nga katastrofat më të mëdha njerëzore në botën moderne. Ndërsa lufta zgjatej, Gaza po përballej me një katastrofë humanitare në përshkallëzim. Bombardimet dhe operacionet tokësore prekën zona të banuara, ndërsa miliona njerëz u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre. Spitale, shkolla, banesa, rrugë dhe infrastruktura jetike u dëmtuan ose u shkatërruan në përmasa të mëdha.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, të cituara nga burime ndërkombëtare, më shumë se 74 mijë palestinezë janë raportuar të vrarë që nga fillimi i luftës, ndërsa numri i të plagosurve ka kaluar 175 mijë. Pas këtyre shifrave qëndrojnë histori familjesh të shkatërruara, fëmijësh dhe grash të vrarë, njerëzish të plagosur dhe miliona banorë të zhvendosur. Por lufta nuk solli vetëm vdekje dhe shkatërrim.
Ajo solli edhe mungesë ushqimesh, ujë të pijshëm, ilaçesh, energjie dhe strehimi. Për periudha të ndryshme, organizatat ndërkombëtare paralajmëruan për rrezikun e urisë dhe kequshqyerjes, veçanërisht te fëmijët. Edhe pas përmirësimit të furnizimeve me ndihma, kriza mbeti e rëndë.
Sipas analizës së fundit të OKB-së për vitin 2026, më shumë se 1.2 milionë njerëz, rreth 59 për qind e popullsisë, përballeshin ende me nivele krize ose më të këqija të pasigurisë ushqimore. Mungesat e barnave dhe pajisjeve mjekësore e vështirësuan trajtimin e pacientëve. Sistemi shëndetësor u përball me një presion të jashtëzakonshëm, ndërsa kushtet e ujit, higjienës dhe strehimit krijuan rrezik të shtuar për sëmundje.
Në muajt e parë pas 7 tetorit, mbështetja politike për të drejtën e Izraelit për t’u mbrojtur ishte e fortë në një pjesë të madhe të vendeve perëndimore. Por, ndërsa lufta vazhdonte dhe numri i viktimave civile në Gaza rritej, qëndrimi ndërkombëtar u bë gjithnjë e më kritik ndaj mënyrës se si Izraeli po zhvillonte operacionet ushtarake.
Organizatat humanitare dhe Kombet e Bashkuara përsëritën thirrjet për mbrojtjen e civilëve, hyrjen e ndihmave dhe respektimin e së drejtës ndërkombëtare humanitare. Në të njëjtën kohë, Izraeli argumentoi se operacionet e tij synonin Hamasin dhe se grupi përdorte zona civile dhe infrastruktura të populluara për qëllime ushtarake.
Debati ndërkombëtar u përqendrua gjithnjë e më shumë te proporcionaliteti i operacioneve, mbrojtja e civilëve, pengimi i ndihmave dhe përgjegjësia për shkeljet e mundshme të së drejtës ndërkombëtare.
Ndërsa kriza humanitare në Gaza thellohej, pati edhe përpjekje ndërkombëtare për të çuar ndihma përmes detit. Anije dhe flotilje humanitare, mes tyre “Madleen” dhe më vonë “Global Sumud Flotilla”, u nisën drejt Gazës me ushqime dhe furnizime mjekësore. Ato u ndaluan nga forcat izraelite para se të arrinin në destinacion.
Izraeli e justifikoi ndërhyrjen me bllokadën detare dhe sigurinë, ndërsa organizatorët e misioneve e konsideruan ndalimin një pengesë ndaj ndihmave humanitare e cila shkaktoi një reagim të ashpër në të gjithë botën pasi situata humanitare e ushqimeve dhe medikamenteve në Gaza kishte kolapsuar.
Me kalimin e kohës, Shtetet e Bashkuara u përfshinë gjithnjë e më shumë në përpjekjet për të gjetur një rrugëdalje diplomatike. Ajo që po ndodhte në Gaza nuk mund të lihej për një kohë të gjatë në heshtje apo mos reagim.
Presidenti Amerikan Donald Trump e vendosi përfundimin e luftës në Gaza në qendër të përpjekjeve të tij diplomatike për të arritur paqen. Plani amerikan prej 20 pikash parashikonte ndërprerjen e luftimeve, lirimin e pengjeve dhe të të burgosurve palestinezë, rritjen e ndihmave humanitare, një tërheqje graduale izraelite dhe krijimin e një mekanizmi të ri për administrimin dhe sigurinë e Gazës.
Në 10 tetor 2025, faza e parë e marrëveshjes solli armëpushim dhe lirimin e pengjeve të mbetura, së bashku me lirimin e qindra të burgosurve dhe të ndaluarve palestinezë. Për herë të parë pas një periudhe të gjatë, pati shpresë për një ndalim më të qëndrueshëm të luftës. Edhe sot që flasim, 3 vite pas sulmit të 7 tetorit, mund të thuhet se paqja mes Palestinës dhe Izraelit mbetet e brishtë dhe shumë e vështirë.
Çështjet më të vështira të cilat mbeten ende në tryezë janë Çarmatimi i Hamasit dhe kush do ta qeverisë Gazën? Kush do të garantojë sigurinë? Dhe kush do ta financojë rindërtimin?
Sipas një raportimi të Reuters më 6 tetor 2026, rreth dy të tretat e Gazës vazhdonin të ishin nën kontrollin izraelit, ndërsa mbi 1.2 milionë njerëz përballeshin ende me pasiguri të rëndë ushqimore.
Edhe rindërtimi mbetet një sfidë gjigante, ndonëse Presidenti Amerikan Trump propozoi zhvendosjen e përkohëshme të popullit palestinez deri në rikthimin e normalitetit gjë e cila u kundërshtua nga faktorë jo vetëm vendas por edhe të huaj. Nga ana tjetër, vlerësimet e OKB-së dhe Bashkimit Evropian e vendosin nevojën për rimëkëmbjen dhe rindërtimin e Gazës në rreth 71.4 miliardë dollarë gjatë dekadës së ardhshme.
Tre vite pas mëngjesit të 7 tetorit, pasojat e asaj dite vazhdojnë të ndihen. Në Izrael, familjet kujtojnë viktimat, ndërsa trauma e sulmit mbetet e pranishme në shoqëri. Në Gaza, një pjesë e madhe e popullsisë jeton mes rrënojave, zhvendosjes, pasigurisë ushqimore dhe një rindërtimi që ende nuk ka marrë përmasat e nevojshme.
Dhe mbi të gjitha mbetet pyetja që shoqëron konfliktin prej dekadash: A mund të kthehet kjo tokë një ditë nga simbol i luftës në një hapësirë të bashkëjetesës dhe paqes?
7 tetori 2023 ndryshoi historinë e rajonit. Një sulm që vrau më shumë se 1,200 njerëz dhe mori peng 251 të tjerë u pasua nga një luftë që solli dhjetëra mijëra viktima palestineze, shkatërrim të gjerë dhe një krizë humanitare të përmasave historike.
Tre vite më vonë, armët mund të jenë më të heshtura se dikur, por plagët mbeten ende të hapura.


