Partitë parlamentare po vazhdojnë përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje për zgjedhjen e presidentit të Kosovës, ndërsa afati i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese përfundon më 6 tetor.
Takimet e zhvilluara të shtunën mes liderëve politikë nuk kanë sjellë ende një dakordim. Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka takuar ndaras kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, dhe kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Krahas diskutimeve për presidentin, PDK-ja po kërkon që deri më 6 tetor Kuvendi ta miratojë në të dyja leximet projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Specialen, të proceduar nga Qeveria të premten.
Në aktgjykimin e 23 shtatorit, Gjykata Kushtetuese ka sqaruar se afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit ka nisur më 8 gusht, ditën e konstituimit të Kuvendit, dhe përfundon më 6 tetor, raporton KosovaPress.
Moszgjedhja e presidentit brenda këtij afati rrezikon ta çojë vendin sërish në zgjedhje, të cilat mund të mbahen deri më 15 nëntor.
Kosova ka zhvilluar tri palë zgjedhje parlamentare në dy vitet e fundit. Procesi i 9 shkurtit 2025 nuk solli formimin e qeverisë, ndërsa zgjedhjet e 28 dhjetorit të po atij viti u pasuan nga bllokimi institucional për zgjedhjen e presidentit dhe shpërbërja e Kuvendit në prill.
Si pasojë, qytetarët iu drejtuan sërish kutive të votimit më 7 qershor 2026.


