Mijëra qytetarë spanjollë kanë dalë në rrugët e Madridit ditën e sotme pasi opozita rrëzoi paketën e propozuar nga qeveria e Pedro Sanchez për ndërhyrjen në tregun e banesave.
Qytetarët kërkuan që strehimi të trajtohet si e drejtë themelore dhe bënë thirrje për një grevë të përgjithshme.
“Po kërkojmë një të drejtë themelore: strehim të denjë, stabilitet dhe mundësinë për të ndërtuar një jetë normale”, tha një protestues në Madrid.
Një ditë më parë qeveria e Sanchez propozoi zgjatjen e ndalimit të dëbimeve deri në vitin 2030, si dhe rregulla të reja për qiratë afatshkurtra dhe dhënien e banesave me dhoma.
Por dy dekretet nuk morën votat e nevojshme. Kundër tyre votuan Partia Popullore, Vox dhe partia katalanase Junts. Partia Popullore argumentoi se kriza duhet të zgjidhet përmes ndërtimit të më shumë banesave dhe jo me kufizime të reja për tregun e qirave.
Zemërimi publik është shtuar edhe pas rastit të Maricarmen Abascal, një 87-vjeçare me aftësi të kufizuara, e cila u dëbua nga banesa ku kishte jetuar për rreth 70 vjet. Sipas raportimeve, fondi që kishte blerë apartamentin i kishte kërkuar një rritje prej 230% të qirasë. Rasti i saj është kthyer në një nga simbolet e protestave.
Shumica e tubimeve u zhvilluan pa incidente, por në Valencia pati përplasje me policinë. Forcat e rendit përdorën gaz lotsjellës dhe plumba gome, ndërsa një grup protestuesish hyri përkohësisht në kompleksin “Qyteti i Artit dhe Shkencës”. Protestat shtojnë presionin mbi qeverinë Sánchez, ndërsa disa media spanjolle kanë raportuar se pas dështimit të paketës së strehimit mund të rikthehet edhe debati për zgjedhje të parakohshme.



