Trajneri i Shqipërisë, Rolando Maran, ka komentuar humbjen 2-1 ndaj Finlandës, duke vlerësuar paraqitjen e kuqezinjve dhe duke theksuar se skuadra meritonte një rezultat pozitiv.
Maran argumentoi se Shqipëria dominoi takimin dhe se edhe pas golit të pësuar, kuqezinjtë krijuan më shumë raste, pavarësisht se luajtën me një lojtar më pak.
“Deri te goli i tyre u pa një skuadër e vetme në fushë. Por edhe pas golit, pashë rastet dhe kemi kryesuar duke mos i lejuar të gjuanin asnjëherë në portë”, deklaroi Maran.
Tekniku italian u ndal edhe te mënyra se si erdhën golat e Finlandës, duke theksuar se Shqipëria u ndëshkua pas dy goditjeve të dënimit.
“Për fat të keq u ndëshkuam me dy goditje dënimi. Edhe pse luajtëm me 10 lojtarë, kemi bërë një ndeshje të madhe dhe meritonim absolutisht një rezultat pozitiv”, u shpreh ai.
Maran theksoi se rezultati nuk duhet të errësojë paraqitjen e ekipit dhe se fokusi duhet të jetë te elementët pozitivë të shfaqur në fushë.
“Rezultati penalizon, por ajo që dua është të shoh ekipin përtej episodeve, që del në fushë e bën paraqitje të tilla. Nëse bëjmë paraqitje të tilla, nuk kemi pse të shqetësohemi”, tha trajneri i kuqezinjve.


