Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, ka kërkuar që Kuvendi i Kosovës ta nisë menjëherë procedurën për shqyrtimin e plotësim-ndryshimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara, pasi Qeveria e ka dërguar atë në Kuvend.
Në një postim, Musliu-Shoshi ka thënë se Kosova duhet të veprojë me një qëndrim të përbashkët dhe se tani përgjegjësia i takon Kuvendit.
“Kosova duhet të flasë dhe të veprojë me një zë. Dërgimi nga Qeveria në Kuvend i plotësim-ndryshimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara është një hap i rëndësishëm. Tani është radha e Kuvendit. Ligji duhet të trajtohet dhe të votohet në të dy leximet. Prandaj, procedura duhet të nisë SOT në seancën e Kuvendit, duke pasur parasysh afatin prej 72 orësh ndërmjet dy leximeve”, ka shkruar ajo.
Musliu-Shoshi ka kërkuar gjithashtu një strategji të koordinuar juridike dhe diplomatike për procesin e apelimit të aktgjykimit të 16 shtatorit ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
“Paralelisht, Kosovës i duhet një strategji e koordinuar juridike dhe diplomatike, me ekspertë vendorë e ndërkombëtarë, për procesin e apelimit të vendimit të 16 shtatorit dhe për mbrojtjen e së vërtetës për luftën çlirimtare të UÇK-së”, ka deklaruar deputetja e PDK-së.
Ajo ka paralajmëruar se shkuarja në zgjedhje pa përfunduar këtë proces, sipas saj, mund të pamundësojë mbështetjen institucionale për ish-pjesëtarët e UÇK-së.
“Nëse vendi shkon në zgjedhje pa e përfunduar këtë proces, rrezikojmë ta pamundësojmë mbështetjen institucionale që ua kemi borxh çlirimtarëve, gjakut të derdhur dhe ëndrrës sonë për liri”, ka shkruar Musliu-Shoshi.
Në fund, ajo ka theksuar se kjo çështje duhet të trajtohet përtej ndarjeve partiake.



