- Mbi 50.000 euro janë gjetur në një kasafortë bankare gjatë një kontrolli shtesë në Prilep, ndërsa numri i lokacioneve të kontrolluara në kuadër të aksionit kundër një grupi të organizuar kriminal ka arritur në 37, njoftoi drejtori i Byrosë së Sigurisë Publike, Aleksandar Janev.
Për rastin është ngritur kallëzim penal ndaj 21 personave. Ndaj 14 prej tyre është caktuar paraburgim deri në 30 ditë, ndërsa katër të tjerë janë në arrest shtëpiak. Katër punonjës policie të dyshuar po trajtohen nga Kontrolli i Brendshëm i MPB-së.
“Dje u kontrollua edhe një kasafortë në një bankë në Prilep, ku gjetëm mbi 50.000 euro të tjera. Gjithashtu, gjetëm dhe sekuestruam automjete”, tha Janev.
Aksioni u zhvillua më 30 shtator, pas një hetimi disamujor. Sipas policisë, grupi përbëhej nga 21 persona, 20 nga Prilepi dhe një nga Shkupi, të dyshuar për trafikim të paligjshëm të drogës dhe krim ekonomik.
Janev deklaroi se rrjeti i shpërndarjes së drogës ishte ndërtuar për më shumë se 15 vjet dhe nuk përjashtoi përfshirjen e personave të tjerë në hetim.
“Miti i të paprekshmëve në Prilep më në fund ra. Askush nuk mund të fshihet pas lidhjeve dhe njohjeve”, deklaroi Janev.
Pas aksionit është shtuar prania policore në qytet, ndërsa hetimet vazhdojnë. Policia synon gjithashtu të forcojë bashkëpunimin me qytetarët dhe bizneset lokale për luftën kundër kriminalitetit.
Sipas Janevit, operacioni ishte pjesë e një pune të planifikuar dhe të koordinuar kundër krimit të organizuar.



