Mijëra njerëz marshuan në rrugët e Parisit në kuadër të Paris Pride, duke kërkuar mbrojtjen e të drejtave të personave LGBTQ+ në një kohë kur partitë e djathta ekstreme po fitojnë më shumë mbështetje në Francë.
Marshimi nisi në Place d’Italie, në jug të kryeqytetit, dhe përfundoi në Place de la Bastille, ku ishte planifikuar një koncert. Në aktivitet morën pjesë rreth 50 organizata.
Alexandre Schon, bashkëpresident i organizatës Inter-LGBT, e cila organizon marshimin, u bëri thirrje personave LGBTQ+ dhe aleatëve të tyre të mobilizohen përpara zgjedhjeve presidenciale.
“Duhet të ngrihemi kundër të djathtës ekstreme”, deklaroi Schon, duke shprehur shqetësimin për të ardhmen e të drejtave LGBTQ+. Ai përmendi gjithashtu situatën në vende të tjera, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Senegalin, ku sipas tij këto të drejta po përballen me presion.
Në marshim u panë edhe disa figura të së majtës franceze, mes tyre lideri i Francës së Papërkulur (LFI), Jean-Luc Mélenchon, dhe deputetja e të Gjelbërve, Sandrine Rousseau.



