Presidenti Donald Trump deklaroi se mund t’u kërkojë vendeve evropiane të hedhin në treg një pjesë nga rezervat e tyre të naftës, ndërsa po shqyrton ndalimin e eksporteve të karburantit nga Amerika.
Komentet e presidentit erdhën pasi sekretari i Thesarit, Scott Bessent, i bëri thirrje Evropës që të përgatitet menjëherë për të nxjerrë në treg rezerva të tilla, duke argumentuar se fermerët, drejtuesit e kamionëve dhe bizneset amerikane nuk duhet të mbajnë barrën ndërsa çmimet rriten ndjeshëm.
SHBA-të kanë kërcënuar se do të kufizojnë eksportet e naftës për shkak të rritjes së madhe të kostove si pasojë e luftës në Iran.
Dje, Mbretëria e Bashkuar zhvilloi bisedime me partnerët evropianë për mundësinë e nxjerrjes së rezervave të naftës në rast të një ndalimi të eksporteve amerikane. Amerika është një furnizues shumë i rëndësishëm i naftës për botën, duke eksportuar nga 1.2 deri në 1.5 milion fuçi në ditë.
Ekspertët paralajmërojnë se ndalimi i dërgesave jashtë vendit mund të ushtrojë presion edhe më të madh mbi çmimet në vendet e tjera.
Çmimet e benzinës dhe naftës në mbarë botën janë rritur ndjeshëm që nga shpërthimi i luftës SHBA-Izrael në Iran, më 28 shkurt e që çoi edhe në mbylljen e Ngushticës së Hormuzit, nga ku para luftës kalonte rreth një e pesta e naftës dhe gazit global.



