Projekte të reja për zhvillimin e “Lotaria Shtetërore” ishin iniciuar gjatë mandatit të ish-drejtorit Përparim Bajrami, dëshmoi në seancën e sotme Vllado Petkovski, Drejtor aktual i Sektorit për Lojëra të Fatit. Ai tha se ndër projektet ishin “Novo VLT”, platforma e internetit “Megawin.mk” dhe organizimi i pavarur i lojërave elektronike të fatit. Petkovski sqaroi se “Novo VLT” ishte themeluar për organizimin e lojërave elektronike, por nuk kishte filluar me punë për shkak të pengesave ligjore.
Ai dëshmoi gjithashtu se ishin ndërmarrë aktivitete për furnizimin me terminale VLT për organizimin e pavarur të lojërave nga ana e Lotarisë. Për furnizimin, sipas dëshmitarit, ishin siguruar analiza, studime dhe mendime nga disa institucione. Petkovski tha se Drejtoria e të Ardhurave Publike kishte dhënë mendim pozitiv, por pëlqimi nga Ministria e Financave nuk ishte marrë. Prokuroria kërkoi, ndërsa gjykata miratoi që Petkovski të merret në pyetje në mënyrë të kryqëzuar në vazhdimin e seancës.
Ky dëshmitar, gjithashtu, gjatë procedurës hetimore ishte marrë në pyetje edhe nga ana e prokurorisë dhe si i dyshuar. Në lëndën “Lotaria Shtetërore”, përveç Artan Grubit dhe Perparim Bajramit, të akuzuar janë edhe Bashkim Avdiu, Metodija Dimovski, Skender Mehmet, Bojan Janev, Fatmir Ramadanovski dhe Aleksandar Dimitrioski.



