Mijëra qytetarë u mblodhën të enjten në Prishtinë në protestën më të madhe mbarëkombëtare deri më tani kundër dënimeve për krime lufte ndaj katër ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), raporton Associated Press (AP).
Sipas AP-së, protesta u zhvillua pas aktgjykimit të një gjykate në Hagë, e cila në fillim të shtatorit shpalli fajtorë ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ish-komandantët e UÇK-së, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, për krime lufte të kryera gjatë luftës së viteve 1998-1999. Të katër u dënuan me nga 13 deri në 25 vjet burgim.
Aktgjykimet kanë nxitur protesta të përditshme në Kosovë, ndërsa pjesëmarrësit në tubimin e së enjtes mbushën sheshet qendrore të Prishtinës me pankarta, përfshirë mbishkrimin “Jo në emrin tim”, dhe me flamuj shqiptarë e simbole të UÇK-së.
AP raporton se shumë qytetarë në Kosovë i konsiderojnë aktgjykimet të padrejta dhe e shohin UÇK-në si një forcë që luftoi kundër shtypjes serbe. Protestuesit kanë shprehur shqetësimin se vendimet e gjykatës mund të ndikojnë në mënyrën se si perceptohet lufta e Kosovës për pavarësi.
Gjatë protestës, disa qytetarë shprehën edhe pakënaqësi ndaj Bashkimit Evropian për mbështetjen që i jep Dhomave të Specializuara të Kosovës. Një grup protestuesish, sipas AP-së, deklaroi se “BE-ja e la Kosovën në baltë”..
Raportimi i AP-së e paraqet protestën e 1 tetorit si tubimin më të madh deri më tani kundër aktgjykimeve, në një valë protestash që kanë nisur pas vendimeve të gjykatës dhe që janë zhvilluar në mënyrë të vazhdueshme në Kosovë.



